Kthesa e Laçit / Në zonën “play out” pas 26 javësh, kurbinasit tani luajnë një “finale” mbijetese me krutanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 14:20

Kthesa e Laçit / Në zonën “play out” pas 26 javësh, kurbinasit tani luajnë një “finale” mbijetese me krutanët

Që prej rikthimit në Kategorinë Superiore në vitin 2009, skuadra kurbinase është bërë faktor në futbollin shqiptar, duke qenë rregullisht edhe pjesëmarrëse në Europë, madje dy edicione më parë luajti për herë të parë deri në turin e tretë të Ligës së Konferencës.

FOTO: P. Pashollari

FOTO: P. Pashollari

Mirëpo, ky sezon nuk ka shkuar aspak mirë për Laçin dhe gjithçka u vulos pak ditë më parë, kur edhe u eliminua nga turi çerekfinal i Kupës së Shqipërisë pas dy përballjeve me Egnatian.

Skuadra e drejtuar nga Gentjan Mezani, edhe pse me shumë elementë cilësorë në përbërje, dhe për më tepër me një sulm të frikshëm, ku bëjnë pjesë Guindo dhe Shkurtaj, ndodhet aktualisht në një pozicion delikat.

Vendi i tetë në kampionat do të thotë një ndeshje shtesë për të shpëtuar sezonin për bardhezinjtë në rast se kampionati mbyllej sot. Në këto kushte, kurbinasit do të kërkojnë të largohen sa më shpejt nga zona e ftohtë dhe fitorja e fundit ndaj Vllaznisë ishte si çlirim për skuadrën në prag të pushimit 10-ditor.

Kalendari rezervon një duel jetik për Laçin në javën e 27-të, pasi do të luajë në transfertë ndaj Kastriotit (1 prill), që ndodhet në vendin e fundit. Kjo ndeshje është shansi i fundit për krutanët, por nga ana tjetër, Laçi kërkon pikë, pasi rivalët mund të shkëputen.

Gjithsesi, në kampin kurbinas janë të qetë për faktin se skuadra i ka të gjitha mundësitë, jo vetëm të shpëtojë sezonin, por të kërkojë edhe një vend që të çon në Europë, duke qenë se edhe distanca me vendin e tretë është vetëm 5 pikë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"