Ksavi kursimtari, stili i tij 1-0/ Barcelona ka fituar më shumë se kushdo tjetër në Europë me rezultat minimal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2023 | 0:03

Ksavi kursimtari, stili i tij 1-0/ Barcelona ka fituar më shumë se kushdo tjetër në Europë me rezultat minimal

Barcelona po përgatitet të përballet me Realin e Madridit në “Klasiken” e radhës në këtë sezon. Të dielën, katalanasit do të presin “Los Blancos” në takimin e radhës në La Liga, që me shumë gjasa do të vendosë përfundimisht fatet e sezonit. Barça kryeson garën në La Liga me 9 pikë përpara Realit dhe me një sukses të dielën do të vinte njërën dorë te titulli. Kjo dhe për faktin se nga fundi i sezonit do të mbeten edhe 10 takime.

KSAVI

Barcelona duket e vendosur për t’i shkuar garës për titullin deri në fund. Madje, katalanasit kanë ndryshuar shumë në këtë sezon. Spektakli dhe futbolli i hapur i kanë lënë vend pragmatizmit të katalanasve. Madje, tashmë rivalët kanë nisur të ironizojnë Ksavin për futbollin e tij të mbyllur dhe për fitoret minimale 1-0. Nën drejtimin e tij në këtë sezon, katalanasit janë mësuar të jetojnë me shpirt ndër dhëmbë deri në minutën e fundit.

Skuadra e drejtuar nga Ksavi Hernandez ka arritur që të kursehet në gola, duke treguar se me shumë sforco në fazën mbrojtëse mund t’ia dalë të fitojë dhe 1- 0, herë bukur e herë shëmtuar. janë pikërisht këto fitore 1- 0 apo 0-1 që i kanë dhënë një avantazh të konsiderueshëm Barcelonës përballë Realit në garën për titullin në La Liga dhe për ecurinë e saj pozitive edhe në Kupën e Mbretit.

Edhe pse Ksavi publikisht ka inat që etiketohet si “unocerista” (fjalë e përdorur në spanjisht për fitoren 1-0), ai është i pari që e di se po fiton me vështirësi, por sukseset 1- 0 po i shijojnë shumë. Në fakt, ai po bën histori brenda klubit duke qenë i abonuar për këto lloj fitoresh.

Fitoret me vetëm një gol dhe mbajtja e portës e paprekur është bërë një nga shenjat dalluese të Barcelonës së tij. Nëse kërkojmë shpjegime për këtë fenomen, ato janë të gjithfarëllojshme. Ka probleme me dëmtimet në repartin e sulmit, mbrojtja e skuadrës këtë vit është shumë më e mirë dhe më e disiplinuar dhe Ter Shtegen po bën sezonin më të mirë të karrierës së tij. Barcelona e Ksavit është më “kursimtare” në historinë e entitetit të Barçës. Asnjëherë në histori nuk kishte fituar një ekip me këtë stemë në gjoks kaq shumë takime me shifrat 0-1 e 1-0 në një sezon të vetëm.

Katalanasit, mes kampionatit spanjoll dhe Kupës së Mbretit, numërojnë 11 takime me fitore minimale. Për të gjetur një ecuri të tillë të Barcelonës, me kaq shumë suksese minimale duhet të kthehemi në vitet ’80, edhe pse tashmë skuadra e Ksavit ka vendosur një rekord origjinal, 11 fitore minimale 1-0 ose 0-1. E të mendosh që sezoni ende ka shumë për të luajtur.

fitoret 1-0

REKORD EDHE NË EUROPË – Për t’i dhënë më shumë ngjyra historisë së Barçës së këtij sezoni, gazeta “Marca” u ka bërë një analizë kampionateve më të rëndësishme në Europë. Edhe aty rezulton se rasti i Barçës së Ksavit bie në sy në krahasim me skuadrat e ligave të mëdha.

Në të vërtetë, Barcelona është skuadra më “unoceriste” (një me zeroiste) në kontinent. Me 11 fitoret e saj me 1-0 ose 0-1, ajo lë pas skuadra si Sociedadi, Interi, Juventusi dhe Roma që kanë fituar nga shtatë ndeshje me këto rezultate deri më tani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"