Kriza te Vllaznia, Sedloski projekton ndryshime! Priten lëvizje në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2023 | 11:54

Kriza te Vllaznia, Sedloski projekton ndryshime! Priten lëvizje në sulm

Tekniku i Vllaznisë, Goce Sedloski, merr një lajm të mirë para sfidës me Kastriotin.

vcnvm

Pavarësisht se mesa mësohet do të ketë dy mungesa të sigurta, pikërisht dyshen e lojtarëve të krahut të djathtë të mbrojtjes, kapitenin Erdenis Gurishta e Gerald Smajli, atij në prag të takimit me Kastriotin në dy ditët e fundit të stërvitjes i janë kthyer edhe dyshja Bulatoviç e Balaj. I pari mungoi në qendër të mbrojtjes ndaj Egnatias, duke lënë shumë deficite në këtë repart. Ndërsa Balaj që pësoi një problem muskulor në përballjen e fundit mund të ishte një mungesë e rëndësishme në përballjen ndaj Kastriotit. Lajmi i mirë po cilësohet rikthimi i Darko Bulatoviçit në stërvitje. Ai është stërvitur normalisht me grupin dhe nuk ka shfaqur shqetësime.

Nga ana tjetër, edhe Balaj i është kthyer normalisht stërvitjes dhe do të mund t’ia dalë të luajë si titullar. Ndërkohë, kapiteni Erdenis Gurishta, pavarësisht dëshirës dhe sforcos që ka bërë për të qenë i pranishëm edhe në sfidat e fundit, mund të mos ia dalë. Ndërsa tani mund të thuhet se Geralb Smajli, i dëmtuar në meniskun e gjurit të këmbës së djathtë dhe i operuar vetëm para pak ditësh, e ka humbur këtë sezon, pasi do t’i duhet rreth një muaj e gjysmë për t’u rikuperuar.

FORMACIONI Ndikuar nga kjo gjendje jooptimale e futbollistëve, Goce Sedloski pritet t’i kthehet formacionit me një skemë 4-2-3-1 për këtë sfidë. Ku natyrshëm ndryshimet do të jenë edhe në emra. Porta nuk do të ketë ndonjë të re, pasi Zogoviç do të jetë sërish titullar. Ndërsa lëvizja e parë pritet të jetë në të djathtë të mbrojtjes. Në postin e kapitenit Gurishta dhe po me shirit në krah pritet që të jetë Kruja. Juriç do të zhvendoset në krahun e tij të mbrojtësit të qendrës së djathtë, ndërsa edhe Bulatoviç pritet që të jetë në qendër të majtë të këtij reparti duke lënë në stol Shehin.

Krahu i majtë do të mbulohet sërish nga Hakaj, që herë pas here bën më të mirën e mundshme në rolin e mesfushorit të majtë. Jonuzi e Boshnjaku do të jenë barriera para mbrojtjes. Ndërsa në ndihmë të sulmuesit kryesor, që pritet të dalë nga dyshja Bala apo Kaina, kjo varet nga gjendja e shkodranit Balaj, pritet të jenë tre lojtarë. Me përjashtim të Latifit, duket se për dy vendet e tjera ka një balotazh.

Marku apo Heriç është një prej dilemave për një pozicion që mund të luhet në mes trios, që do të mbështesë sulmin kryesor, ndërsa për krahun e djathtë Hoxhaj e Çoba do të jenë emrat që do të plotësojnë formacionin kuqeblu. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime të tjera deri pas stërvitjes së fundit. Pasi jo rrallë herë tekniku Sedloski, në kaq pak takime në krye të kuqebluve, ka bërë lëvizje në momentet e fundit.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"