Kosova pret Andorrën, trajneri Zhires dhe Vedat Muriqi: Vlen vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 9:35

Kosova pret Andorrën, trajneri Zhires dhe Vedat Muriqi: Vlen vetëm fitorja

Kosova do të luajë sot ndaj Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45 ndeshjen e dytë të fazës eliminatore të “EURO 2024” për Grupin I. Duke folur dje për mediet në prag të këtij takimi, trajneri Alen Zhires dhe sulmuesi Vedat Muriqi theksuan se ndaj Andorrës vlen vetëm fitorja.

zhires muriqi

“Vijmë nga një rezultat pozitiv në Izrael dhe do të kërkojmë të fitojmë ndaj Andorrës. Ekipi bëri një paraqitje të mirë në Tel-Aviv. Pjesën e parë e kemi nisur me vetëm një mesfushor qendror, më konkretisht Dresheviç dhe kjo ka prishur pak punë. Formacionin nuk mund ta tregoj, madje as lojtarët nuk e dinë. Nuk duhet neglizhuar Andorra dhe s’duhet konsideruar e dobët. Ka pak rëndësi cilin ekip kemi përballë, i rëndësishëm është kompeticioni në të cilin luajmë, ndaj duhet treguar seriozitet. Sa i përket situatës në Federatën e Kosovës, mund të them se nuk na intereson pjesa politike. Ne përgatisim ndeshjen dhe kjo është ajo që na intereson”, ka thënë Zhires.

Më pas ka folur Muriqi, i cili është i bindur se Kosova do të fitojë pastër ndaj Andorrës. “Unë si sulmues kam rolin për të shënuar gola, por mundohem të jem aty ku ka ekipi nevojë, siç bëra ndaj Izraelit. Kur ka nevojë mbrojtja, unë jam aty. Me Andorrën duam fitoren, nuk ka rezultat tjetër, pa e nënçmuar kundërshtarin. Nëse duam kualifikimin na duhet fitorja”, ka thënë sulmuesi “Dardan”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"