Spektakël në Korçë, Super-Skënderbeu mund Debrecenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2012 | 14:00

Spektakël në Korçë, Super-Skënderbeu mund Debrecenin

Sebino Plaku nuk u besoi syve në minutën e 3-të, kur tri metra larg portës nuk arriti ta shtynte dot topin në rrjetë. Megjithatë, në minutën e 65-të, sulmuesi shleu gjithçka me atë gol, duke i dhënë një fitore historike Skënderbeut në Ligën e Kampioneve. “Jam shumë i gëzuar për fitoren e ekipit, pasi ishim përgatitur maksimalisht për këtë takim. Sigurisht që jam i lumtur për golin. Mendoj se shleva gabimin e bërë gjatë pjesës së parë, por këto janë gjëra që mund të ndodhin. Në atë rast edhe portieri kundërshtar pati një meritë të veçantë. Unë gjuajta me shumë siguri, por portieri e kuptoi dhe e priti topin”, – shprehet fillimisht Plaku, duke kujtuar rastin e humbur në fillimin e takimit. Sulmuesi ia dedikon golin tifozërisë korçare dhe presidentit Zeqo. “Gjatë momentit që shënova më shkoi menjëherë në mendje se kisha gëzuar gjithë tifozerinë korçare dhe në veçanti presidentin Zeqo, i cili është shumë i përkushtuar pas këtij ekipi. Ndihem i lumtur që jam pjesë e Skënderbeut. Do vazhdoj të jem edhe për sezonin e ardhshëm, pasi ky klub ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Edhe shoqëria që kam me kolegët e mi futbollistë është shumë e rëndësishme. Të gjithë më kanë qëndruar pranë në momentet e vështira”, – shtoi sulmuesi i Skënderbeut.
Besimi Plaku është i bindur se Skënderbeu i tij do të jetë më i favorizuar për të kaluar në turin tjetër. I pyetur nga “Panorama Sport” se a beson te kualifikimi, ndër të tjera, sulmuesi pranoi se ndeshja e kthimit do të jetë shumë më e vështirë. “Kemi kaluar vetëm një nga dy takimet dhe kështu që na presin 90 minuta ‘ferri’ në Hungari. Parashikoj një takim më të fortë në transfertë, por mendoj se atje do të nisemi pak më të favorizuar për kualifikim se kundërshtarët. Duke qenë se kryesojmë në ndeshjen e parë me rezultatin 1-0, jemi më të qetë dhe më lart moralisht se Debreceni. Kam shumë besim se do t’ia dalim, pasi mendoj se kemi një skuadër më të mirë. Dominuam fitoren dhe, pse jo, duhet të shënonim më shumë”, – ka përfunduar heroi i ndeshjes së djeshme.

Sulmuesi bind De Biazin, gati ftesa për në Kombëtare
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, e ka ndjekur nga afër dje ndeshjen e Skënderbeut, ku ka parë disa prej futbollistëve kuqezi (Shehi dhe Muzaka). Mësohet se trajnerit i ka pëlqyer edhe sulmuesi Sebino Plaku, për të cilin prej disa kohësh mban shënime. Ka shumë gjasa që në të ardhmen sulmuesi i Skënderbeut të marrë një ftesë nga trajneri italian i Shqipërisë. De Biazi është vënë në kërkim të një sulmuesi teknik e të shpejtë që të mund të kombinojë me Bogdanin ose Çanin në repartin ofensiv. Nëse Plaku vazhdon me këto ritme, ka gjasa të mira që t’i jepet një shans. Një tjetër lojtar që i ka pëlqyer De Biazit ka qenë edhe Vucaj, por ky i fundit pësoi një rënie të dukshme në pjesën e dytë, çka nuk i la një shije të mirë trajnerit.

Levi “qan” rastet: Të fitonim më thellë
Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, vlerëson përkushtimin dhe këmbënguljen e futbollistëve të tij ndaj Debrecenit, por “qan” rastet e shpërdoruara nga lojtarët, të cilët iu afruan golit shumë herë. “Skuadra e interpretoi më së miri ndeshjen dhe e merituam plotësisht fitoren. Jam pak i zhgënjyer, pasi patëm shumë raste për shënim dhe mund të kishim siguruar kualifikimin që në takimin e parë. Me aq mundësi sa patëm para portës, duhet të kishim shënuar të paktën dy gola. Nuk dua ta zbeh festën e fitores së Skënderbeut, por në një kompeticion kaq të rëndësishëm, nuk duhet të shpërdorosh kaq shumë”, – u shpreh Levi. Ai paralajmëron skuadrën e tij për forcën e Debrecenit por, njëkohësisht, është optimist se mund të marrin sërish një rezultat pozitiv. “Ndeshja e kthimit do të jetë shumë më e vështirë, pasi do të luajmë në transfertë. Debreceni nuk tregoi më të mirën e vet në Korçë dhe në Hungari do të jenë akoma më të fortë. Nuk duhet të gënjehemi nga ndeshja e parë, ndaj të kemi kujdes maksimal! Kemi një javë kohë në dispozicion për të përgatitur sfidën e dytë dhe unë do mundohem të studioj sa më mirë formën e lojtarëve, në mënyrë që të marr edhe vendimet e duhura, siç ndodhi edhe sot (dje)”, – shtoi tekniku çek. I pyetur mbi rëndësinë e mungesës së Shkëmbit dhe paraqitjes së Vucajt, 54-vjeçari tha: “Nuk mund të krahasohet Shkëmbi me Vucajn. I pari është një futbollist me shumë eksperiencë, ndërsa i dyti është një i ri me të ardhme të madhe. Dua të theksoj se sot (dje), Vucaj ka bërë një ndeshje tepër të mirë, duke i zbatuar me përpikëri të gjitha detyrat që i kisha dhënë”. Në fund të deklaratës së tij, Stanislav Levi foli edhe mbi kontratën: “Nuk është momenti i duhur që të mendoj mbi rinovimin tim. Pasi të shohim ecurinë tonë në Ligën e Kampioneve, do të ulem për të biseduar me drejtuesit e Skënderbeut për të folur si për kontratën time, ashtu edhe për planet që mund të kemi së bashku me ekipin”, – tha tekniku çek, i cili ka arritur të fitojë besimin e plotë të presidencës korçare, pas triumfit në kampionat dhe tashmë me startin pozitiv në Evropë.

Kondas: Ishim dobët, e përmbysim në shtëpi
Debreceni zhgënjeu në Korçë, duke mos krijuar thuajse asnjë rast të pastër për shënim. Trajneri i ekipit hungarez pranon paraqitjen e dobët dhe kritikon të tijtë, por nuk dorëzohet në shanset për kualifikim. “E nisëm mirë lojën, por emocionet na penguan. Skënderbeu arriti të luajë me një ritëm të lartë që në minutat e para dhe krijoi raste të mira për shënim. Jam i pakënaqur nga paraqitja jonë, por kjo nuk është forca e vërtetë e Debrecenit. Sulmi nuk mundi të jetë i rrezikshëm, ndërsa mbrojtja pati probleme. Megjithatë në ndeshjen e kthimit luajmë në fushën tonë dhe mbështetja e tifozëve do të na japë mundësinë që të tregojmë maksimumin e forcës”, – u shpreh tekniku Elemer Kondas. “Në pushimin e pjesës së parë u kërkova lojtarëve të mi që të qëndronin sa më afër zonës kundërshtare dhe të ushtronin presing te mbrojtësit rivalë. Mirëpo nuk mundëm të shënojmë asnjëherë. Në fundin e pjesës së dytë ne arritëm të marrim kontrollin e lojës, por kjo nuk mjaftoi që të barazojmë rezultatin. Skënderbeu është favorit për të kaluar në raundin tjetër, pasi e fitoi takimin e parë. Por, ne nuk dorëzohemi, madje jemi optimistë se do t’ia dalim mbanë në shtëpi”, – shtoi trajneri i Debrecenit.

Shehi: Ja pse shkëlqeu Skënderbeu
Orges Shehi nuk pati shumë punë në duelin me hungarezët, pasi Debreceni nuk gjuajti asnjëherë në kuadrat. Megjithatë, portieri i kampionëve bën thirrje për kujdes, duke i kujtuar skuadrës se është bërë vetëm gjysma e punës. “Jam shumë i kënaqur me lojën e zhvilluar nga ekipi dhe duhet të them se i zbatuam me përpikëri urdhrat e trajnerit, duke e vënë në vështirësi ekipin kundërshtar dhe duke mos i lënë të rrezikojnë për asnjë çast”, – ka thënë fillimisht mbrojtësi ekstrem. Më pas, kapiteni i ekipit në këtë takim shpjegon edhe arsyet se përse Skënderbeu ishte superior në këtë sfidë. “Morëm shumë shpejt frenat e lojës në dorë dhe arritëm ta mbajmë kundërshtarin sa më larg portës sonë. Ne hymë të bindur te forca jonë dhe nuk i mbivlerësuam kundërshtarët. Lojtarët luajtën me shumë guxim dhe me shumë vendosmëri. Shokët e skuadrës vrapuan shumë dhe kërkuan topin e parë në çdo moment duke ushtruar presion”, – ka shtuar më tej Shehi, i cili është edhe një nga shtyllat e skuadrës korçare. Keqardhja Orges Shehi është i ndërgjegjshëm se Skënderbeu duhet të kishte shënuar më shumë në këtë ndeshje. “E vetmja gjë që më mërzit disi është pamundësia për të shënuar edhe një gol tjetër që do të na i lehtësonte më shumë punën në takimin e ardhshëm. Jam tepër i kënaqur për këtë paraqitje dhe mendoj se shanset për kualifikim janë akoma edhe më të mëdha pas kësaj ndeshjeje. Kemi kaluar vetëm një pjesë të punës, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos ndikohemi nga kjo fitore, por të bëjmë lojën tonë perfekte pasi Debreceni ka mjaft kualitete dhe mund të na verë në vështirësi në ndeshjen tjetër”, – është shprehur ai. Në ndeshjen e kthimit kampionët e Shqipërisë nuk do të kenë sërish në dispozicion kapitenin Shkëmbi, i cili vuan një dëmtim. Mesfushori korçar është një mungesë e madhe për ekipin, pasi ai shpeshherë qetëson skuadrën dhe shërben mirë për sulmin.

Drejtuesit kërkonin më shumë gola
Kreu i klubit korçar, Agim Zeqo, nuk e ka fshehur gëzimin pas fitores ndaj Debrecenit. Në një prononcim për mediat, pak minuta pas përfundimit të takimit, ai ndër të tjera deklaroi se skuadra duhet të shënonte më shumë gola. “Jam shumë i kënaqur me lojën që ka zhvilluar ekipi. I ka zbatuar të gjitha detyrat që i ka dhënë trajneri. Dominuam në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe e vumë shpeshherë në vështirësi kundërshtarin. Patëm shumë raste, të cilat duhet t’i kishim shfrytëzuar më së miri. Por fati nuk ishte me ne, sidomos kur Plaku goditi traversën. Sa i përket ndeshjes së dytë, ajo është mjaft delikate. Megjithatë, ne do të bëjmë lojën tonë dhe ndoshta mund të paraqitemi edhe më mirë. Shpresat për kualifikim janë të shumta, por duhet të kemi kujdes, sepse kjo fitore mund të ndikojë edhe për keq. Kundërshtari është i rrezikshëm”, – është shprehur Zeqo.

Bledi Shkëmbi
Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, e ka parë si spektator ndeshjen e djeshme. Fantazisti korçar e ka mbështetur Skënderbeun e tij nga pankina, e megjithëse është parë i lumtur pas ndeshjes për paraqitjen dhe mbi të gjitha për fitoren e skuadrës së tij, ai ka shprehur keqardhjen që nuk mundi të ishte në fushë në një ditë si kjo.

Skënderbeu, leksion hungarezëve
Super-Skënderbeu shokon Debrecenin. Spektakël, emocione, raste pa fund, por vetëm një gol. Kampionët e Shqipërisë kanë mposhtur dje 1-0 hungarezët, në një ndeshje për t’u mbajtur mend. Goli i Sebino Plakut ka rritur shpresat për një kualifikim historik të bardhekuqve në turin e tretë të Ligës së Kampioneve. Ishte një takim që foli tërësisht për Skënderbeun, në një kohë që skuadra hungareze u shfaq më shumë se zhgënjyese. Kjo erdhi edhe për meritë të korçarëve, të cilët ditën të imponoheshin në fushë gjatë gjithë 90- minutëshit. “Do të shikoni një Skënderbe sulmues”. Ky ishte premtimi i Stanislav Levit në prag të sfidës. Loja e djeshme i dha të drejtë trajnerit çek. Presion që në minutat e para dhe raste të shumta. Problemi i vetëm ishte shënjestra e sulmuesve. Nëse Xhafaj & CO do të tregoheshin më të qetë para porte, atëherë Skënderbeu do të kishte hipotekuar kualifikimin që në Korçë. Me një fitore super të merituar, tashmë ekipi i Levit duhet të mbrojë rezultatin në 90 minutëshin e kthimit në Hungari, më 24 korrik. Rezultati duket i favorshëm, por të mendosh sa raste u humbën, Levi me siguri është bërë me dhimbje koke.

SKENDERBEU-DEBRECENI   1-0
Golat: Plaku 65’
Skënderbeu:
Shehi – Gvozdenovics, Radas, Arapi, Fagu – Muzaka, Orelesi, Vucaj, Allmuca – Xhafaj (Kuli 83′), Plaku (Bicaj 93′). Trajner: Stanislav Levi

Debrecen: N. Novakovic – Šimac, Meszaros (Mate 92′), Nagy, Korhut – Kulcsár (Ramos 72’), Rezes, Szakály, Varga – Bodi, Coulibaly. Trajner: Kondás Elemér
Gjyqtarë: Nikolaj Jordanov, Ventsziszlav Gavrilov, Ivajlo Milkov (Bullgari)
Kartonë të verdhë: Radas 58′, Plaku 65’, Orelesi 68’, Vucaj 73′, Muzaka 85′ / Bódi 6’, Coulibaly 30’, Varga 87′

Skënderbeu-Debrecen 1-0, minutat e lojës

Formacioni Trajneri Stanislav Levi ka hedhur një formacion të ekuilibruar mes reparteve, edhe pse duket qartë qasja ofensive e kuqebardhëve. Sidomos reparti i mesfushës është i përbërë nga lojtarë që shtyjnë përpara nga të dy krahët (Muzaka dhe Vucaj), ndërsa dyshja e qendrës, Orelesi-Allmuca, përvecse duhet të bëjnë rolin e “digës” për sulmet e kundërshtarit që në nisje, kanë si mision edhe të godasin nga distanca, pas krahëve, në drejtim të portës së Debrecenit, dhe të asistojnë nga afër dyshen e sulmit, Plaku-D.Xhafaj. Para portierit Orges Shehi, që në këtë ndeshje mban edhe shiritin e kapitenit, në mungesë të Bledi Shkëmbit të dëmtuar, rreshtohen katër mbrojtës në vijë të drejtë. Arapi dhe Gvozdenovic, dy kolonat e qendrës së prapavijës kuqebardhë, do të kenë në mbështetje nga krahët Radas dhe Fagun. Të dy këta lojtarë duhet të zhvendosen në mesfushë kur sulmohet drejt gjysmëfushës së hungarezëve, sepse duhet të zënë pozicionet e Vucajt dhe Muzakës, teksa këta dy të fundit shndërrohen në sulmues “shtesë”. E kundërta ndodh kur Skënderbeu gjendet në pozita difensive. Një skemë, që në letër duhet të prodhojë një skuadër kompakte, e cila të funksionojë si “fizarmonikë”. Kuptohet, aq sa mund ta lejojë kundërshtari, i cili ka marrë masat e veta kundërvepruese, edhe në planin taktik. Problem mbetet “kulla e regjisë” së lojës së korcarëve, aty ku mungon fantazisti Bledi Shëmbi, ndërkohë që në fushën e lojës, ndaj Debrecenit, nuk spikat ndonjë tjetër futbollist me karakteristikat e tij. Edhe shkodrani i Lacit, Erjon Vucaj, i marrë si përforcim për Ligën e Kampioneve në këtë funksion, është i pozicionuar në të majtë të mesfushës juglindore, ndërkohë që Orelesi dhe Allmuca janë dy shkatërruesit e mirëfilltë, por që nuk shquhen shumë në fazën ndërtuese. Ata po bëjnë lidhjen mes dy reparteve, mbrojtjes dhe sulmit të Skënderbeut.
Pjesa e parë – Korçarët futen në fushë pa surpriza në formacion. Allmuça kishte fituar balotazhin me Bratiçin për një vend në mesfushë. Është pikërisht lojtari tiranas që bëhet protagonist në startin e takimit, teksa daljet e tij nga krahu i majtë sjellin kaos te hungarezët. Nisja është spektakolare për Skënderbeun. Sinjalin e parë e jep Vucaj, në një kohë që Plaku bën më të vështirën përballë portierit Novakoviç. Sulmuesi nuk u beson syve, ndërsa nga ana tjetër, debutuesi Vucaj është ndër më të mirët. Shkodrani është shumë i lëvizshëm, teksa nxjerr në pozicione shënimi sulmuesit, duke bërë të mos ndjehet mungesa e kapitenit Shkëmbi. E majta e Vucajt trondit portierin hungarez, por gjithsesi Debreceni mbahet fort. Për minuta të tëra miqtë mbyllen në portë. Disa aksione sporadike me protagonist sulmuesin Kulibali, janë shumë pak për kampionët hungarezë. Debreceni kërkon të ndëshkojë Skënderbeun me anë të kundërsulmeve, por dështon. Pjesa e parë dominohet e gjitha nga bardhekuqtë, të cilët janë të pafat, pasi godasin edhe shtyllën me anë të Plakut. Fundi i këtij fraksioni sjell dy raste të arta me protagonistë Xhafajn dhe Radasin, por është Novakoviç që bën heroin për hungarezët. 45 minutat e para mbyllen pa gola, por me një Skënderbe të frikshëm.
Pjesa e dytë – Skuadrat e rinisin takimin me të njëjtat formacione. Në minutat e para të pjesës së dytë loja ekuilibrohet disi, por korçarët janë më kërkues dhe më të rrezikshëm. Allmuça ka shansin më të mirë për ta kaluar në avantazh Skënderbeun por, me portën e boshatisur, godet jashtë. Gjithsesi, mesfushori korrigjon gjithçka në minutën e 65-të, kur jep një pasim të artë për Plakun dhe ky i fundit godet Lojtarët e Skënderbeut, duke festuar fitoren e djeshme brenda zonës me të djathtë, duke shënuar golin e avantazhit. Stadiumi shpërthen si vullkan dhe kur nuk kalojnë as pesë minuta, korçarët i afrohen golit të dytë me Xhafajn. Debreceni bën përpjekje të dëshpëruara për të dalë te goli. Hungarezët duken një ekip pa ide në fushë në një kohë që, pas minutës së 70-të, Skënderbeu mendon më shumë për të ruajtur rezultatin. Levi hedh në fushë Kulin, por asgjë nuk ndryshon deri në fund. Goli i Plakut mbetet në fuqi pas tri minutave shtesë.

MË I MIRI
Sebino Plaku ishte heroi i ndeshjes për korçarët. Edhe pse e nisi keq takimin, duke humbur një rast të pastër, sulmuesi e tregoi veten më pas, duke u bërë rreziku numër një për hungarezët. Një paraqitje të shkëlqyer bëri edhe mesfushori shkodran, Erjon Vucaj. Edhe pse ndeshje debutuese për të, i riu shkëlqeu, duke zëvendësuar më së miri Bledi Shkëmbin, i cili mungoi për shkak dëmtimi.

MË PAK AKTIVI
Sulmuesi francez i Debrecenit, Adamo Kulibali, ishte një nga lojtarët më pak aktivë në ndeshjen e djeshme. Shpresa e sulmit hungarez e preku pak herë topin, por kjo edhe për meritë të mbrojtjes korçare. Gvozdenoviç e likuidoi lojtarin shtatlartë, duke fituar thuajse çdo dyluftim. Te Debreceni një paraqitje zhgënjyese bënë edhe lojtarët e repartit mbrojtës, Nagi dhe Simak.

Tifozët, atmosferë mbresëlënëse
Tifozët e Skënderbeut kanë dhuruar një atmosferë të shkëlqyer në stadium, duke i dhënë akoma më shumë zemër skuadrës bardhekuqe. Me mijëra fansa brohorisnin në kor ose lëviznin në koherencë me njëri-tjetrin, të udhëhequr nga një kryetifoz, duke dhuruar kështu një koreografi për t’u vlerësuar. Të shtyrë nga dominimi i Skënderbeut në fushë, por edhe gjatë momenteve ku loja e ekipit vendës u zbeh, tifozët ishin konstantë në mbështetjen e tyre, duke e detyruar ekipin korçar që të jetë gjithnjë i karikuar në fushën e lojës.


Nga gafa e anësorit te shkëlqimi i Erjon Vucajt

Debutim i shkëlqyer i mesfushorit shkodran, Erjon Vucaj, me fanellën e Skënderbeut. I ardhur te korçarët pas afirmimit te Laçi në dy sezonet e fundit, dje 22-vjeçari ishte ndër më të mirët në fushë. Vucaj kishte një detyrë të vështirë: të zëvendësonte kapitenin Bledi Shkëmbi, që mungonte për shkak dëmtimi. Dhe në fakt shkodrani zhvilloi një lojë mbresëlënëse, duke bërë që të mos ndihej aspak mungesa e Shkëmbit. I qetë, i kudondodhur dhe me pasime shumë të sakta, Vucaj dukej sikur kishte vite që luante për Skënderbeun. Ndërkohë, përveç Vucajt, dje debutoi me fanellën e bardhekuqve edhe Bekim Kuli. Gjatë ndeshjes duhet thënë se ra në sy edhe një gafë e anësorit bullgar, Ventisislav Gavrilov. Në minutën e 51-të, Vucaj nxori të lirë Plakun, por asistenti sinjalizoi për pozicion të parregullt, në një kohë që moviola televizive tregonte të kundërtën.

Më 24 korrik
“Finalen” e gjykon një 31-vjeçar
Ndeshja e kthimit, Debreceni- Skënderbeu, e vlefshme për turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve, do të gjykohet nga një estonez. Takimi luhet më 24 korrik, ora 20:00, në stadiumin “Sostoi Nyreghaza”. UEFA ka përzgjedhur 31-vjeçarin Kristo Tohver si kryesorin e kësaj sfide. Arbitri estonez ka marrë stemën e FIFA-s vetëm dy vite më parë. Profesioni i Tohver është menaxher arti. Kulmi i tij në fushën e gjykimit ka qenë drejtimi i finales së Evropianit U-17, mes Holandës dhe Gjermanisë, në vitin e kaluar. Në këtë ndeshje fituan “tulipanët” e vegjël me rezultatin 5-2. Tohver vlerësohet në Estoni si një nga gjyqtarët më të mirë.

Ultrasit e Debrecenit provokuan incidente
Rreth 100 tifozë besnikë të Debrecenit kanë qenë të pranishëm në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës për të mbështetur skuadrën e zemrës. Gjithsesi, edhe pse në një numër shumë herë më të vogël se tifozeria vendëse, ata nuk nguruan që të provokojnë. Në momentin e shënimit të golit nga ana e Sebino Plakut, disa prej hungarezëve kanë hedhur sende të forta dhe fishekzjarrë në drejtim të fansave shqiptarë, duke tentuar që të krijojnë incidente në shkallët e stadiumit. Gjithsesi, është dashur ndërhyrja e policisë për ta qetësuar situatën dhe për të parandaluar që shqiptarët të binin pre e provokimit, i cili mund t’u kushtonte shtrenjtë. Gjithsesi, ra në sy qartazi tendenca e hungarezëve për të krijuar tension, mbase edhe prej faktit se ekipi i tyre nuk po paraqitej ashtu siç e prisnin në fushën e lojës.
JORGIS MEMO / LLAZI SARO



NDIQE LIVE "PANORAMA TV"