Korabi nuk fal në shtëpi, vetëm fitorja e mban në garë Luzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2024 | 13:27

Korabi nuk fal në shtëpi, vetëm fitorja e mban në garë Luzin

Korabi, pas humbjes në tranfertë me Bylisin, pret të rikthehet te fitorja në fushën e tij kundër Luzit. Tekniku i skuadrës dibranëve, Shpend Kumbarçe, në prag të këtij takimi, për “Panorama Sport” u shpreh:

korabi flamurtari

“Vijmë nga një humbje në Ballsh. Ekipi bëri një paraqitje të mirë dhe shpresojmë që të vazhdojmë kështu për një rezultat pozitiv. E dimë vështirësinë që do të kemi në këtë ndeshje, pasi edhe Luzi luan gjithçka për gjithçka. Kundërshtari është në pozita jo të mira dhe do të bëjë çdo gjë për të marrë një rezultat pozitiv në fushën tonë, por do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë. Korabi i ka të gjitha kapacitetet për të arritur suksesin në shtëpi dhe për të vazhduar misionin në ‘play off’”. Me fitoren kundër Luzit, Korabi do ta siguronte edhe matematikisht pjesëmarrjen në fazën “play off”.

Fitorja e thellë kundër Lushnjës, 4-0, e ka rifutur Luzi 2008 në garën e mbijetesës. Kur kanë mbetur edhe 4 javë për t’u luajtur, shanset e Luzit mbeten deri në fund. Te Luzi janë të qartë për këtë dhe do të udhëtojnë që sot drejt Peshkopisë për të ngjitur “malin” e Korabit.

Në listën e golashënuesve kryeson pikërisht Itodo Mandela i Luzit me 16 gola dhe krahas tij edhe një tjetër “vrasës” si Patrik Treni, në kuotën e 12 golave. Nga 36 gola të shënuar, vetëm këta dy sulmues kanë shënuar plot 28 gola. Prandaj sytë do të jenë te këmbët e tyre që i kanë shënuar çdo ekipi dhe besojnë fort se do kenë shanset e tyre edhe në Peshkopi. Luzi udhëton i qetë, i sigurt sepse fundja nuk ka më se çfarë të humbasë dhe do të luajë me gjithë shpirt për të lënë të hapur rrugën e mbijetesës. Në rast fitoreje në 3 javët e fundit, ndërsa do të ndeshen mes tyre Lushnja, Burreli e Kastrioti, Luzi do të favorizohej nëse fitonte ndeshjet e tij. Vetëm fitorja e mban në garë Luzin.

ko lu

SH.HASANI/F.FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"