Korabi eliminon Besën me penallti, ja si e komentuan takimin trajnerët Kumbarçe dhe Pashja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2023 | 18:01

Korabi eliminon Besën me penallti, ja si e komentuan takimin trajnerët Kumbarçe dhe Pashja

Katër gola për 120 minuta lojë nuk mjaftuan për të nxjerrë fituesin në Korabi-Besa, ndërsa u desh ruleta e penalltive që në fund dibranët të festonin kualifikimin. Ndeshja e djeshme në Peshkopi ka qenë shumë interesante për tifozët, pasi jo vetëm që prodhoi katër gola, me rezultatin 2-2 deri në fund, por mbi të gjitha të pranishmit u bënë dëshmitarë të 12 penalltive të goditura, nga ku në fund Korabi fitoi 5-4 nga pika e bardhë.

korabi besa

Pas ndeshjes,  të dy trajnerët u prononcuan për “Panorama Sport”.

Trajneri i Korabit

Kumbarçe: Shpenzuam shumë energji, por ia dolëm

Trajneri i Korabit, Shpend Kumbarçe, është i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij ndaj Besës. Ai pranoi pas ndeshjes se mori sinjale pozitive nga lojtarët e rinj që nuk kanë marrë shumë minuta gjatë kampionatit. “Luajtëm mirë dhe arritëm që të kualifikohemi, edhe shpenzuam shumë energji. Ndaj Besës kam aktivizuar më tepër lojtarë që kanë pasur pak minuta në kampionat, por jam i kënaqur, pasi kaluam më tej. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat, pasi në fundjavë luajmë po ndaj Besës në transfertë”, ka thënë trajneri dibran për “Panorama Sport”. Tashmë Korabi do të kërkojë një tjetër sukses, këtë herë në stadiumin e Luzit, aty ku të dielën Besa është pritëse.

Trajneri i Besës

Pashja ka dyshime për një gol

Trajneri i Besës, Lorenc Pashja, pavarësisht eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, është i kënaqur me skuadrën. Ai theksoi për “Panorama Sport” se ka rezerva për një gol të anuluar për pozicion jashtë loje në pjesën e parë. “Kishim ardhur në Peshkopi për t’u kualifikuar, ndonëse luajtëm me shumë lojtarë që kanë qenë rezervë. Ekipi bëri një paraqitje të mirë, ndërsa kam rezerva për një gol të anuluar për pozicion jashtë loje në pjesën e parë. Megjithatë, pas disavantazhit të dy golave, ekipi arriti që të barazojë dhe të mbajmë këtë rezultat edhe në shtesë. Fati nga penalltitë i buzëqeshi Korabit, kështu që ne duhet të mendojmë për kampionatin”, deklaroi Pashja.

FATMIR ZHUZHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"