Kontratë 3-vjeçare/ Besa rrëmben një “xhevahir” për mesfushën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2023 | 23:14

Kontratë 3-vjeçare/ Besa rrëmben një “xhevahir” për mesfushën

Besa merr një “xhevahir” për mesfushën. Alvi Mezani është afrimi më i fundit i kavajasve. Lojtari që ka dalë dhe shkëlqyer me Apoloninë, tashmë do ta vijojë karrierën te verdhezinjtë. Ai në fakt vjen pas një përvoje 6-mujore te Laçi, por që nuk i shkoi sipas planeve.

Mezani

Vjen me 0 minuta, por me dëshirën e madhe për të treguar sa vlen dhe bërë diferencën. Marrëveshja është arritur tashmë dhe është afatgjatë, për 3 vitet e ardhshme. Kjo është strategjia që po ndien presidenti Nexhat Bizhdili me të rinjtë, duke i “blinduar”. Një formë që mund t’i sjellë të ardhura në vazhdim. Me të numri i përforcimeve shkon në “8”.

Më herët kanë ardhur edhe Ermir Spahiu, Arbri Pengu, Nazif Sulejmani, Riad Kostanica, Elton Sulejmani, Rrezart Kokollani, Jordan Ike (me këtë të fundit që është në provë në fakt). Me merkaton, Besa nuk ka mbaruar punë. Burime pranë presidentit, informojnë se pritet edhe një tjetër kosovar në portë, Krahas Abdullahut, do t’u bashkohet këto ditë i radhës.

Emri mbetet ende “mister”, pasi në klub preferojnë që të fillimisht të firmosin kontratat dhe jenë në rregull me letrat. Por, nuk do të mbarojë këtu “oreksi” i Bizhdilit. Në dispozicion të Lorenc Pashja, brenda të martës së ardhshme do të jenë edhe 3 futbollistë nga kryeqyteti.

Me shumë mundësi, këta mund të afrohen në formë huazimi nga Tirana dhe Partizani. Kavajasit kanë programuar edhe zhvillimin e miqësores së parë nesër ku do të kenë përballë “vëllezërit” e tyre të Luzi 2008. Trajneri do të ketë mundësi të shohë për herë të parë performancën e secilit nga futbollistët e afruar.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"