“Kontrata më mbaron më 30 maj, gjithmonë do të jem aty për ekipin”. Memushi: Flamurtari nuk dështoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2024 | 10:57

“Kontrata më mbaron më 30 maj, gjithmonë do të jem aty për ekipin”. Memushi: Flamurtari nuk dështoi

Eqerem Memushit i përfundon kontrata me Flamurtarin më 30 maj. Trajneri vlonjat ende nuk e ka marrë konfirmimin e Sinan Idrizit për të qenë në krye të pankinës në sezonin e ri. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Memushi thotë se ky sezon ishte suksesshëm, pavarësisht se nuk u ngjitën në Superiore.

memushii

Tekniku thotë, se me Laçin nuk ishin në kushte të barabarta, por luajtën si të barabartë. Grupin e lojtarëve e vlerëson si më të mirin që ka stërvitur, ndërsa falënderon për mundësinë që i dha administratori Sinan Idrizin.

Flamurtari nuk e arriti objektivin, Superiore. Ishte një dështim?

Jo, nuk mendoj kështu. Bëmë një kampionat dinjitoz. Në 5 ndeshjet e fundit kemi qenë të përqendruar te “play off”-i. Skuadra vinte pas një rraskapitje të madhe. Mendoj se ekipi ia bëri “hyzmetin” objektivit që kishim dhe bëmë gjithçka mirë. Nuk mund që të kapnim dot Elbasanin dhe Bylisin, që nuk gabonin asnjëherë. Në një moment që Flamurtari mund të afrohej, nuk e lanë, dhe kjo ndodhi në dy herë. Në Elbasan ju e patë që na anuluan një gol. Në Ballsh ishte pjesa e parë 1-2, direkt na lanë me 10 lojtarë. Këto janë pikët që ne mund t’u afroheshin atyre.

Por edhe Flamurtari ka gabuar apo jo?

Ne vërtetë kemi gabuar, madje edhe në fushën tonë. Na mundi Burreli apo ndonjë ekip tjetër. Gjithsesi, distanca e pikëve ishte shumë e madhe. Ne duhet që t’i mbanim në presion.

A jeni i kënaqur me këtë periudhë që keni drejtuar Flamurtarin?

Jam shumë i kënaqur. Për mua objektivi u arrit. Luajtëm në një fushë me një kundërshtar që kishte 10 ditë që ishte i çlodhur. Luajtëm si të barabartë dhe në 90 minuta treguam se ishim më të fortë se ata. Shkuam të rraskapitur, pasi në dy javë luajtëm pesë takime. Kundërshtari kishte 10 ditë në dispozicion. Në këtë pikë nuk ishim të barabartë.

Mendoni se ju kanë penalizuar edhe dëmtimet?

Dëmtimet kanë qenë pjesa më kryesore dhe më serioze e skuadrës. Ishin lojtarë kryesorë dhe nuk ishin futbollistë pa peshë. Kishin ardhur për ta ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivit.

Jeni takuar me administratorin Sinan Idrizi pas finales në Laç?

Jo, nuk jam takuar me Idrizin.

Skuadra është shpërndarë tashmë…

Po skuadra është shpërndarë. Sot (dje) ka dorëzuar bazën materiale. Pastaj nuk e di se çfarë do të ndodh për sezonin e ri. Jemi apo nuk jemi më aty, ne jemi Flamurtari dhe i urojmë suksese. Mendoj se këtë detyrë me të gjitha forcat e bëmë me pastërti.

Keni një mesazh për futbollistët?

Unë i falënderoj djemtë me gjithë zemër dhe shpirt për atë që dhanë dhe që kanë demonstruar në këto 3-4 muaj që ishim bashkë. Ky ishte grupi më i mirë që unë kam stërvitur. Kam gjetur një grup super. Ishin djem të mirë dhe futbollistë shumë të mirë. Njerëz me të cilët merreshim vesh me sy. Kjo është shumë e rëndësishme për një skuadër futbolli dhe për një ekip ku në një dhomë zhveshje janë 30 persona. Është pozitive të kesh një marrëdhënie të shkëlqyer.

Kur përfundon kontrata juaj?

Kontrata ime me Flamurtarin është deri në 30 maj.

E parashikoni të ardhmen si pjesë e Flamurtarit edhe në sezonin e ri?

Për të ardhmen time…Varet nga ata që hedhin lekët, që financojnë. Varet nga projekti dhe ambiciet e tyre, si dhe nga shija. Çdo njeri ka shijen e tij. Unë kam falënderime. I uroj gjithë të mirat familjarisht zotit Idrizi. Jam apo nuk jam unë trajneri në sezonin e ri, mua aty më ka në shkallët e stadiumit, siç kam qenë gjithmonë. Do të jem aty në mbështetje të Flamurtarit. I uroj gjithë të mirat të gjithëve. Një falënderim të veçantë edhe për punëtorët e stadiumit, për të gjithë pa përjashtim. Kemi qenë si një ndërmarrje, për një qëllim.
Lojtarët dorëzojnë bazën materiale

Futbollistët dorëzojnë bazën materiale. Ashtu siç “Panorama Sport” paralajmëroi, dje lojtarët u paraqitën në klub rreth orës 17:00. Pas dorëzimit të çantave, zhvilluan një takim të shkurtër me drejtorin Alfred Ferko. I pranishëm ishte edhe trajneri Eqerem Memushi. Ra në sy mungesa e administratorit Sinan Idrizi, që nuk ka preferuar t’i takojë pas dështimit të objektivit. Trajneri Memushi ka falënderuar lojtarët  për bashkëpunimin.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"