Konglomerat te skuadra e Kategorisë së Parë, federohen 10 lojtarë të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 15:58

Konglomerat te skuadra e Kategorisë së Parë, federohen 10 lojtarë të huaj

Shkumbin “shumëkombësh”. Kanë afruar jo pak, por 9 lojtarë të huaj në këtë merkato vere. Bashkë me të rikonfirmuarin Barbosa, bëhen 10 të tillë.

Shkumbini

Si asnjëherë më parë në historinë e tyre, peqinasit do të kenë lojtarë nga çdo cep i globit. Ramon Abreu, Andre Guerra Ugarte, Felipe Silva de Souza, Rafael Sena, Dione Hose de Almeida, Çinonso Onuh, Inagaki Taiga, Tomonari Miyazaki dhe Ryoya Oshimoto janë federuar zyrtarisht nga klubi dhe do të jenë pjesë e organikës për sezonin 2021-2022.

Klubi ka vendosur një rekord më vete në lidhje me këtë statistikë, pasi ka tetë pasaporta të ndryshme (duke përfshirë edhe atë shqiptare). Ajo që bie më shumë në sy në skuadrën bardhekaltër është harta e shpërndarjes së këtyre kombësive, që fillon nga Amerika Latine e cila përfaqësohet me brazilianët Barbosa (i rikonfirmuar nga vjet), Dione, Felipe, Ramon, kolumbianin Rafael e kilianin Andre dhe duke kaluar në kontinentin aziatik të përfaqësuar me tre japonezët Inagaki, Miyazaki dhe Oshimoto.

Kontinenti afrikan përfaqësohet nga sulmuesi nigerian Onuh, ndërsa nuk mungojnë as shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe ata të Luginës së Preshevës, konkretisht Meriton Merko dhe Besim Salihu. Përgjegjësia dhe vështirësia më e madhe do të bjerë mbi stafin teknik, që duhet të gjejë një gjuhë komunikimi të përbashkët dhe anglishtja mbetet zgjidhja. Hall më vete është edhe rregulli i të huajve, pasi nuk lejohen më shumë se 5 në fushë.

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"