Konfirmohet dëmtimi i titullarit të Interit, ja sa ditë do të qëndrojë jashtë fushave mesfushori zikaltër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 11:15

Konfirmohet dëmtimi i titullarit të Interit, ja sa ditë do të qëndrojë jashtë fushave mesfushori zikaltër

Pas dëmtimit të pësuar të martën në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” kundër Kroacisë, Hakan Çalhanoglu u rikthye në “Pinetina” për t’iu nënshtruar ditën e djeshme testeve mjekësore.

CALHANOGLU 3

Pas ekzaminimeve ka ardhur edhe komunikata zyrtare e klubit zikaltër, që ka konfirmuar se mesfushori ka pësuar një tërheqje të muskulit aduktor të kofshës së djathtë, me kushtet që do të rivlerësohen në ditët në vijim.

Edhe pse janë shmangur lezionet në muskujt e 29-vjeçarit, e sigurt është deri më tani mungesa e tij në tri ndeshjet e ardhshme, atë të ditës së nesërme në kampionat kundër Fiorentinës, gjysmëfinalen e parë me Juventusin në Kupën e Italisë, që do të zhvillohet të martën dhe transfertën e së premtes së ardhshme ndaj Salernitanës.

Por edhe pse gjendja nuk të lejon të parashikosh për një kohë afatgjatë, diagnoza në varësi të shkallës së dëmtimit përfshin mesatarisht 15 ditë deri 1 muaj qëndrim larg fushave dhe Inzagi ka ende një fije shprese që turku mund t’ia dalë të jetë ndaj Benfikës më 11 prill, atëherë kur bëhen dy javë nga dëmtimi i tij.

Gjithsesi në Milano janë të vetëdijshëm që probabiliteti është shumë i ulët dhe objektivi më i arritshëm, si një mënyrë edhe për të mos e rrezikuar ngelet çerekfinalja e dytë ndaj portugezëve më 19 prill.

Mes dy sfidave europiane do të jetë në mes Monza, që mund të shërbejë si test për mesfushorin, por do të jetë ndaj Benfikës në “San Siro” kur Interi do të ketë më së shumti nevojë për të.

Ndeshja e dytë do të jetë vendimtare për të prerë biletën e gjysmëfinales dhe duke parë rëndësinë që ka pasur Çalhanoglu gjatë gjithë rrugëtimit europian, rikuperimi i tij do të ishte një bonus i madh për zikaltrit.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"