Konfirmohen lojtarët e sezonit të kaluar, Jaupllari: Me 5 përforcime nuk e diskutojmë mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2021 | 0:38

Konfirmohen lojtarët e sezonit të kaluar, Jaupllari: Me 5 përforcime nuk e diskutojmë mbijetesën

Te Maliqi janë optimist për sezonin e ri. Skuadra juglindore do të militojë për herë të parë në histori në Kategorinë e Parë, ndërkohë që drejtuesit kanë konfirmuar të gjithë lojtarët e sezonit të kaluar, të cilët do të japin kontributin e tyre edhe në një kategori më lartë.

maliqii

Stafi drejtues me në krye trajnerin Egli Malësija, ka njoftuar të gjithë futbollistët që më datën 19 korrik, do të zbresin në fushë, për të nisur fazën përgatitore. Më përjashtim të Avdillarit, që u largua drejt Rahovecit në Kosovë, pjesa tjetër e grupit të vjetshëm, do të jenë sërish pjesë e bardhekuqve.

Një nga lojtarët e spikatur ka qenë padyshim edhe Andrea Jaupllari, që ishte titullar i padiskutueshëm, në sezonin historik që u finalizua me ngjitjen në Kategorinë e Parë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari, u shpreh optimist, teksa beson se me 5 afrime cilësore, maliqarët nuk e diskutojnë mbijetesën.

Jaupllari

“Mezi po presim të startojmë përgatitjet për sezonin e ri. Jemi të uritur për të dhënë maksimumin. Forca më e madhe e skuadrës sonë është grupi. Kemi një grup fantastik. Mendoj që me 4-5 përforcime cilësore, nuk e diskutojmë mbijetesën. Gjithsesi mos bëhemi euforikë, detyra jonë është të japim maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje.

Mundësitë dhe cilësitë i kemi, që me pak fat të bëjmë paraqitje dinjitoze, duke përmbushur objektivat. Zhvillimi i ndeshjeve në qytetin e Maliqit do të jetë një armë plus këtë sezon. Me mbështetjen e tifozëve të mrekullueshëm do t’i dalim mbanë për t’i bërë krenarë të gjithë, në dëbutimin tonë në Kategorinë e Parë”, u shpreh Jaupllari.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"