Kombëtarja U-19, Cungu kritika lojtarëve që vijnë nga jashtë: Nuk bëjnë diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2022 | 22:50

Kombëtarja U-19, Cungu kritika lojtarëve që vijnë nga jashtë: Nuk bëjnë diferencën

Trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu, nuk i ka kursyer kritikat për lojtarët që vijnë nga jashtë, pas 2 miqësoreve që kuqezinjtë zhvilluar pak ditë më parë me Kosovën U-19. Sipas shkodranit, lojtarët që vijnë nga jashtë nuk bëjnë diferencën.

Armando CUngu

“Këto dy miqësore me Kosovën U-19 mua si trajner më kanë vlejtur shumë për të parë nivelin e lojtarëve të grumbulluara dhe të skuadrës. Ndërsa sa i përket formimit dhe konsolidimit të grupit kryesor të lojtarëve që do të përbëjnë bazën e Kombëtares U-19 nuk mendoj se jemi ende aty ku duhet.

Sigurisht, miqësoret u luajtën në data zyrtare dhe ne kishim mundësi të ftonim lojtarë të cilët aktivizohen me klube të huaja dhe ne e shfrytëzuam duke thirrur sa më shumë nga ata të cilët i kemi monitoruar në vazhdimësi dhe i kemi në mbikëqyrje. Kishte disa elementë për të cilët ne kishim menduar se mund të bënin diferencën me futbollistët e kampionatit shqiptar, por në fakt nuk pashë ndonjë diferencë, ndryshe nga ç’prisja.

Shpresoj që në dy miqësoret e ardhshme që kemi me Malin e Zi në qershor do të shohim nëse mund të afrojmë edhe ndonjë element tjetër, por konkluzioni im për momentin është që të mbështetemi më shumë tek elementët e kampionatit shqiptar. Prisja më shumë të them të drejtën nga këta lojtarë, që në letër ishin premtues, pasi luanin me skuadra të njohura jashtë. Lojtarët që vinë nga jashtë duhet të dëshmojnë në fushë se kanë një nivel tjetër më të lartë me kampionatin shqiptar dhe nëse nuk e dëshmojnë këtë, patjetër që ne do të bazohemi te lojtarë vendas. Të mos harrojmë edhe vitin kaluar baza e ekipit Kombëtar U-19 ka qenë nga kampionati shqiptar dhe kanë bërë një paraqitje të mirë.

Uroj të kemi mundësi të shohim edhe futbollistë të tjerë të rinj në mënyrë që kur t’i afrohemi ndeshjeve të eliminatoreve të Europianit në shtator të kemi një grup lojtarësh edhe më të fortë. Kemi pasur mundësi të testojmë një numër të madh lojtarësh, ne kërkojmë një nivel më të lartë konkurrence në skuadër. Do të kemi edhe seleksionime apo grumbullime të tjera në muajt prill dhe maj dhe shpresoj shumë që të konsolidojmë sa më mirë skuadrën dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet zyrtare që na presin pas verës”, –u shpreh Armando Cungu në prononcimin e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"