Koha të tregojnë forcën, Kupa “barometër” për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2023 | 21:51

Koha të tregojnë forcën, Kupa “barometër” për Dinamon

Që Dinamo e ka bërë diferencën në Kategorinë e Parë, ky është fakt. Kampionati ka edhe shumë rrugë përpara, por blutë i kanë forcuar pozitat dhe vështirë se rivalët mund ta zbresin nga dy vendet e para. Për të realizuar shkëputjen e madhe nga Flamurtari, nuk do të kursehen as në merkato.

DINAMO 1

Klubi ka në plan të afrojë lojtarë që do t’i shërbejnë edhe për përfaqësimin në Superiore. E megjithatë, vëmendjen momentalisht e ka marrë Kupa e Shqipërisë. Përpara rinisjes së Kategorisë së Parë, luajnë me Kastriotin (për llogari të turit të dytë).

Sfida e së martës në “Selman Stërmasi” do të jetë edhe një lloj barometri për forcën reale të ekipit kryeqytetas. Jo vetëm se Kupa është një nga objektivat sezonalë, por edhe për faktin se mund të tregojë se në çfarë niveli është realisht Dinamo në punën për ndërtimin e skuadrës së Superiores.

Përballja me kundërshtarë nga elita do të ishte pasqyra më e mirë për blutë në këtë pikë të sezonit. Nëse ata arrijnë ta përballojnë Kastriotin, do të thotë se kanë ecur mirë edhe me objektivin për të pasur 60-70% të skuadrës gati për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit blu shpesh kanë thënë se paralelisht me kthimin në Superiore, po punohet edhe për të pasur gati të paktën gjysmën e skuadrës e jo për të nisur gjithçka nga e para në verë. Të enjten lojtarët kanë bërë pushim, sot kthehen në stërvitje me fokusin te sfida e së martës me Kastriotin.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"