Klubi i Kategorisë së Parë thyen rekord me trajnerët, i fundit u largua me… 0 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2022 | 22:00

Klubi i Kategorisë së Parë thyen rekord me trajnerët, i fundit u largua me… 0 pikë

Nuk ka më “dashuri” në Peqin. Largohet pa lënë asnjë gjurmë trajneri Love Kestelot. Kamerunasi që vinte nga Brazili dhe drejtoi për 5 ndeshje Shkumbinin, e ka mbyllur aventurën në Shqipëri.

LOVE

Asnjë pikë e marrë në po aq ndeshje që ishte në stol, solli edhe “divorcin” e parakohshëm mes palëve. Bardhekaltrit janë zhytur në një krizë të thellë rezultatesh, ndërsa zyrtarisht kanë 9 javë që nuk fitojnë (mes një barazimi dhe plot 8 humbjesh).

Rrezikohet seriozisht mbijetesa, ndaj edhe në klub e kanë parë të udhës që të ndryshojnë diçka. Në këtë fazë të kampionatit, zgjidhja e vetme ishte “rokada” në pankinë. Pas një takimi që është zhvilluar me afrikanin dhe drejtuesit, është parë e udhës që të ndërpritet këtu bashkëpunimi.

EMËROHET BRANICA

Pasardhësin e kanë gjetur direkt dhe e kanë gjetur po brenda qytetit. Do të jetë Sokol Branica në “timon” për 10 javët e mbetura të Kategorisë së Parë. Rikthimi i teknikut të mirënjohur peqinas është mirëpritur nga sportdashësit peqinas. Të gjithë besojnë se me të skuadra do të mobilizohet, për të siguruar mbijetesën.

BRANICA

Një mision aspak i vështirë, por 59- vjeçari e ka pranuar pa e menduar dy herë. Ai ka zhvilluar dje seancën e parë stërvitore në krye të Shkumbinit dhe për gazetën “Panorama Sport” thotë:

“E pranova ftesën e klubit për të drejtuar ekipin edhe pse situata ku ndodhet Shkumbini është disi e vështirë. Nuk ka asgjë të pamundur nëse ekziston dëshira dhe vullneti për të bërë më të mirën në ndeshjet e mbetura. Pa dyshim që për t’ia dalë duhet të angazhohemi të gjithë duke funksionuar si një grup që nga stafi teknik, futbollistët dhe pa dyshim edhe mbështetja e sportdashësve tanë është shumë e rëndësishme. Do të punojmë fort për t’u rikthyer te rezultatet pozitive”.

REKORDI ME TRAJNERËT

Shkumbini po thyen çdo lloj rekordi. Askush nuk ka ndërruar më shumë trajnerë sesa ata që nga vera. Punën atëherë e nisi Lorenc Pashja, por u largua në formë të mistershme.

Bashkë me të ikën edhe disa lojtarë. Klubi e zëvendësoi me Artan Banon, por as ky nuk rezistoi gjatë, pasi nuk po ndërtohej dot ekipi që donte. Pak para se të luhej java e parë e kampionatit, u tërhoq dhe kaloi te Butrinti. Largimi i lushnjarit riktheu sërish Lorenc Pashjen në kampionat.

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"