Klubi i Kategorisë së Parë me objektiva të qarta në merkato, presidenti: Do të afrojmë tetë lojtarë në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2021 | 15:29

Klubi i Kategorisë së Parë me objektiva të qarta në merkato, presidenti: Do të afrojmë tetë lojtarë në janar

Skuadra është shpërndarë, por klubi vazhdon punën. Turbina rrezikon rënien, por drejtuesit do të lëvizin çdo gur që kjo të mos ndodhë. Është ky shkaku që do të hidhen në “sulm” për merkaton dhe kanë planifikuar jo pak, por 8 afrime. Është presidenti Gentjan Gjoka që na zbulon më shumë për këtë pjesë, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”:

turbinaaa

“Kemi bërë një fazë të parë jo të mirë. E them këtë, pasi kemi grumbulluar pak pikë. Pra, nëse do të ishim paraqitur më mirë, nuk do të ishim në këtë pozicion aktual.

Jemi të rrezikuar për të rënë nga kategoria, por unë premtoj në emër të klubit, që do ta mbajmë ekipin në Kategorinë e Parë.

Do bëjmë një merkato shumë të mirë, pasi e kemi tepër të nevojshme. Do afrojmë gjithsej tetë futbollistë me përvojë, që do të na blindojnë në çdo sektor.

Bëhet fjalë për pesë lojtarë brazilianë dhe tre futbollistë nga Kategoria Superiore. Gjithashtu, do të kemi dhe largime nga ekipi, pasi ata që nuk e kanë merituar fanellën e verdhë, nuk do të jenë më pjesë e skuadrës.

Për sa i përket stafit drejtues, e konfirmoj ekzistuesin me në krye trajnerin Alfred Allamani. Në 5 janar do të fillojmë përgatitjet dimërore. Pasi diskutuam me stafin, vendosëm që e mërkura e parë e vitit të na gjejë në fushë”.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"