Klubi i Kategorisë së Parë fuqishëm në merkato, arrin akordin me Erlis Frashërin. Për portën pritet ishi i Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2021 | 17:15

Klubi i Kategorisë së Parë fuqishëm në merkato, arrin akordin me Erlis Frashërin. Për portën pritet ishi i Dinamos

Maliqi nuk ka në plan që të jetë kalimtar në Kategorinë e Parë, që për ta është debutim historik. Pasi u ngjitën, klubi kërkon që të ndërtojë një skuadër dinjitoze. Kampionati do të jetë shumë herë më i ashpër nga vjet dhe drejtuesit po marrin masa. Një pjesë e mirë e organikës do të ruhet, megjithatë nuk do të mungojnë as përforcimet me peshë.

Erlis-Frasheri

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se juglindorët po bëhen gati për një goditje “big” në merkato. Ata kanë arritur akordin me Erlis Frashërin, mbrojtësin e linjës së majtë. Korçari këtë sezon pritet të rikthehet në futbollin shqiptar, pas dy viteve që është aktivizuar te Gjilani e Drenica në Kosovë. 33-vjeçari është një futbollist ekspert, pasi mbi shpatulla ka një karrierë mjaft të pasur.

Ai ka milituar në shumë klube të mëdha në futbollin shqiptar, si Skënderbeu, Teuta, Besa, Partizani, Tomori, Luftëtari etj. Afrimi i tij te skuadra e qytezës së vogël juglindore pritet të rritë ndjeshëm cilësinë e grupit. Objektivi i bardhekuqve do të jetë sigurimi i qëndrimit në Kategorinë e Parë. Vlen të theksohet fakti se Maliqi do të nisë përgatitjet për sezonin e ri më datë 19 korrik në qytetin e Korçës.

maliqi kampion

Maliqarët janë gjithashtu edhe në kërkim të një portieri, pasi Lamellari me shumë gjasa këtë sezon të ri, do të bëjë rolin e trajnerit të portierit.

kadri birja

Mësohet se drejtuesit e klubit janë në bisedime me gardianin Kadri Birja. Gjithsesi, duhet theksuar se bisedimet me 31-vjeçarin janë në fazat e para dhe ende nuk është arritur një marrëveshje.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"