Klubi i Kategorisë së Parë anulon stërvitjen, trajneri: Shkak… vapa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2023 | 18:40

Klubi i Kategorisë së Parë anulon stërvitjen, trajneri: Shkak… vapa

Ndryshon axhenda e Tomorit. Skuadra duhet të zbriste dje në fushë, por nuk ka ndodhur kështu. Temperaturat e larta kanë detyruar stafin teknik që ta shtyjë seancën e parë me dy ditë.

tomori

Vetëm të mërkurën do të nisë përfundimisht puna. Gjatë kësaj periudhe, Klodian Arbëri ka vendosur disa “piketa” edhe për sezonin e ri. Ai ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryebashkiakun e Beratit. Ervin Demo e ka pritur në zyrën e tij kreun e pankinës, duke i dhënë garancinë maksimale për kampionatin që fillon më 2 shtator. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shpjegon vendimin për të spostuar ditën e nisjes së përgatitjeve, por edhe atë që ka diskutuar me presidentin e klubit.

“Nëpërmjet gazetës suaj, dua të njoftoj të gjithë tifozët e Tomorit për ndryshimin e axhendës. E di që prisnin të na shihnin në fushë sot (dje), por vetëm të mërkurën do ta zhvillojmë seancën e parë. Arsyet lidhen me të nxehtin ekstrem, i cili ka pushtuar qytetin tonë, që e bënin thuajse të pamundur zhvillimin e stërvitjes. Kështu që, gjykuam të nisim nga puna në mesjavë, kur do të nisë rënia e temperaturave.

Ndërkohë, më duhet të bëj publik edhe takimin e zhvilluar me kryebashkiakun dhe presidentin e skuadrës. Ervin Demo më ka garantuar se Tomori, jo vetëm financat për sezonin e ri, por edhe se marrëdhënia e bashkisë me skuadrën do të jetë më se korrekte. Dhe, kjo për mua dhe futbollistët do të jetë një shtysë dhe motivim më shumë për të qenë një skuadër më shumë rezultative”, ka thënë Klodian Arbëri.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"