Klosi mund Skraparin mes tensionit, Përmeti dhe Adriatiku ndajnë pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2022 | 18:12

Klosi mund Skraparin mes tensionit, Përmeti dhe Adriatiku ndajnë pikët

Nis java e 4-t e Kategorisë së Tretë, e cila është e fundit edhe për këtë vit kalendarik. Janë luajtur vetëm dy ndeshje dje në Kamzë, ndërsa katër të tjerat janë shpërndarë mes së hënës, mërkurës dhe së premtes.

kategoria-e-trete

Goleada nuk pati, e megjithatë tensioni dhe surprizat nuk munguan. Renditja ka pësuar një përmbysje te Grupi B, pas vendimit të Komisionit të Disiplinës. Spartaku mundi 6-1 Minatorin, por duke përdorur një lojtar që nuk kishte të drejtë të luante. Për pasojë e humbi në tavolinë dhe iu hoqën 3 pikë dhe tani e sheh veten të fundit dhe në minus.

SKRAPARI-KLOSI Në fushën e Kamzës dolën fillimisht Skrapari me Klosin, që janë pjesë e Grupit A. Ndeshja është fituar mes polemikash dhe tensionit nga matjanët. Gjithçka u vendos nga një goli i Flogert Domës në minutën e 38-të. Pjesa e parë është zhvilluar e fortë dhe e bukur, por pas golit kanë nisur edhe nervat mes lojtarëve. E megjithatë, situata është zgjidhur fare mirë nga vetë drejtuesit dhe zyrtarët e ndeshjes. Në fraksionin e dytë, loja ka qenë më e qetë, por ka pasur mjaft ndëshkime me karton të verdhë për 5 lojtarë të Klosit dhe dy të Skraparit. Gjithsesi, fundi i takimit u buzëqeshi matjanëve nga Klosi, të cilët morën fitoren e dytë sezonale.

PËRMETI-ADRIATIKU Në ndeshjen e dytë, atë mes Përmetit dhe Adriatikut, ishte me të vërtetë spektakli në fushë. Në 45 minutat e para, miqtë janë shumë më lart. Madje arrijnë të zhbllokojnë shifrat me anë të Enkelejd Fuçija, që po konfirmohet edhe si golashënues nga ndeshja në ndeshje. Ai ka shënuar në të 13’. Më tej loja është e ndezur. Të dyja skuadrat sulmojnë portat kundërshtare, por fraksioni i parë nuk prodhon më gola. Kjo dhe për meritë të dy portierëve Selmani e Pllumbi. Pas pushimit, përmetarët janë më të karikuar, e megjithatë vetëm në çerekorëshin e fundit përmbysin shifrat. Në të 73-ën ishte trajnerilojtar, Orgest Todhe, që nuk fali nga pika e bardhë e penalltisë. Një minutë para mbarimit është Abdalli që shënon për 2-1. Pa u shuar entuziazmi i kthesës së rezultatit, reagon Adriatiku. Grabovës shënon në limite dhe baraspeshon gjithçka në 2-2. Skuadrat ndanë jo vetëm pikën pas kësaj sfide, por edhe kryesimin. Janë të dyja me 7 pikë, ndonëse Adriatiku është i avantazhuar nga golavarazhi dhe mban vendin e parë.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"