Kleandro Lleshi: Me Kukësin tregoj sa vlej, do të bëj maksimumin për t’i shërbyer ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 12:30

Kleandro Lleshi: Me Kukësin tregoj sa vlej, do të bëj maksimumin për t’i shërbyer ekipit

Kleandro Lleshi është afrimi i parë i Kukësit në merkaton e dimrit. Ish-mesfushori i Shpresave, i cili karrierën e tij e ka zhvilluar tërësisht jashtë vendit, në Spanjë, rikthehet të japë kontributin e tij në futbollin shqiptar.

LLESHI

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari flet si një lojtar i bluve, i cili sapo ka nisur këtë aventurë të re në karrierën e tij. Lleshi e vlerëson si një klub tanimë me historinë e tij në futbollin shqiptar, i cili ka të gjitha mundësitë të arrijë objektivat që i ka vënë vetes.

“Të gjithë e dimë që Kukësi tashmë është një klub i afirmuar dhe me histori në Kategorinë Superiore shqiptare. I jam falënderues stafit, drejtuesve të klubit dhe tifozërisë së mrekullueshme për besimin dhe mbështetjen. Është një klub që i ka të gjitha asetet për t’i arritur objektivat që i ka vënë vetes”, u shpreh fillimisht mesfushori.

DËMTIMI – Lleshi kthehet të luajë në Shqipëri pas një periudhe jo të qetë, sepse një dëmtimi i rëndë e ka mbajtur pak jashtë fushave të futbollit. Megjithatë, ai ka besim se do të përshtatet shumë shpejt me lojën dhe skuadrën dhe do të japë kontributin e tij për të marrë maksimumin.

“Futbolli, siç e dimë të gjithë, do shumë fat. Kalova një periudhë të gjatë dëmtimi, por me besim, vullnet dhe punë, arrita të rikthehem në fushë. Në këtë betejë gjeta edhe mbështetjen e Kukësit, pasi kam dy muaj që po stërvitem rregullisht me ekipin. Falë këtij bashkëpunimi edhe përshtatja me ekipin ka ardhur paralelisht me rikuperimin. Jam besim plotë që do të shkojmë shumë mirë si ekip”, vijoi më tej prononcimin e tij për gazetën Kleandro Lleshi, i cili shihet si një afrim shumë i rëndësishëm për skuadrën që drejtohet nga Stavri Nica dhe ka si objektiv qëndrimin në kategori.

FUTBOLLI SHQIPTAR – Lleshi ka luajtur deri në moshën 19- vjeçare në futbollin shqiptar, atëherë si pjesë e ekipit të Internacional, për të nisur aventurën jashtë vendit. U transferua në Portugali tek ekipi i të rinjve të Belenenses dhe më pas vijoi karrierën në Spanjë. Tani, rikthehet në futbollin shqiptar më i pjekur dhe me staturën e një futbollisti profesionist, teksa thekson se futbolli shqiptar është rritur.

“Di të them që futbolli shqiptar po rritet dita – ditës. Personalisht mendoj se me eksperiencën e fituar jashtë vendit, shpresoj dhe do të bëj maksimumin për t’i shërbyer ekipit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën mesfushori më i ri i skuadrës së Kukësit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"