Kishin gati një “ushtri” me afrime/ Tri reparte për t’u ribërë, merkato e klubit të Kategorisë së Parë në… ajër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2023 | 22:01

Kishin gati një “ushtri” me afrime/ Tri reparte për t’u ribërë, merkato e klubit të Kategorisë së Parë në… ajër

Disa ditë më parë, presidenti Nexhat Bizhdili deklaronte plot entuziazëm se kishte gati një “ushtri” me futbollistë, duke specifikuar edhe nga do të vinin ata. Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe trajneri Lorenc Pashja. Kaq mjaftoi që tifozët të merrnin zemër dhe besonin vërtetë se diçka e mirë po vjen. E megjithatë, deri më tani mungojnë prezantimet.

Besa Perja

Një situatë që të krijon një lloj stepjeje, sidomos pas ngulmimit të “Panorama Sport” për të mësuar ndonjë emër në merkato. Përgjigjja që merr, është ajo standarde: “Më vonë…” Tashmë që na ndajnë dy javë nga starti i fazës përgatitore, askush nuk di të thotë çfarë Bese do të shohim sezonin 2023-2024. Mund të ndodhë të krijohet një ekip i fortë, por deri më sot numërohen me gishta lojtarët që kanë mbetur pjesë e organikës së verdhezinjve.

Janë larguar thuajse pjesa kryesore e formacionit, duke filluar nga Dobjani, Ramilli, Reçi, Dalipi, Raza, Onuh dhe Ntepe, ndërkohë që emra si Nurja, Osma, Sulovari, Hoxha e të tjerë nuk e konfirmojnë as që do të qëndrojnë as që do të largohen, por thonë “se po flasin me presidentin”.

Në këto kushte, kur dihet edhe publikisht se Besa do të luajë jashtë Kavajës, fillimi i korrikut pritet me kërshëri të madhe se çfarë do të ndodhë me ekipin. Besohet se nga e hëna e ardhshme do të mësojmë edhe emrat e parë, fillimisht të atyre që do të rinovojnë dhe paralelisht atyre që do të vijnë si përforcime. Besës do t’i duhet të riformatojë të tria repartet pas largimeve të shumta.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"