“Kishim histori, tani po bëjmë një mrekulli”, ish-trajneri Deliu: Elbasani me oreks në elitë, duhet plan Europe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 11:13

“Kishim histori, tani po bëjmë një mrekulli”, ish-trajneri Deliu: Elbasani me oreks në elitë, duhet plan Europe

Rikthimi i Elbasanit në Superiore pas 10 vitesh konsiderohet si një mrekulli e bërë vetëm brenda tre viteve, kur e nisën nga zero. Të paktën kështu shprehet në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Luan Deliu, ish-futbollisti kampion i 1984-ës dhe ish-trajner.

luan deliu

Ai është optimist për ecurinë e Elbasanit në Superiore, teksa në harkun kohor të disa viteve duhet të jetë faktor në elitë dhe të pretendojnë Europën. Sipas tij, ecuria në Superiore do të jetë e bukur dhe e gjatë. Deliu sheh një qytet dhe ekip me oreks, duke guxuar të besojë se një ditë mund të bëhen edhe si Skënderbeu i ciklit fitues të para disa viteve. Në fund, ai ka edhe një këshillë për tifozërinë, për ta kthyer klubin dhe qytetin në një model më vete në të gjithë komponentët e tij.

Nga Kategoria e Tretë në Superiore, brenda tre vitesh. Cilat janë përjetimet e tua si ish-lojtar dhe trajner i Elbasanit? 

Komplimente këtij klubi që na bëri të krijojmë sërish ato emocionet e bukura të Superiores, ato emocione që thuajse po i harronim. Brenda tre viteve bën realitet atë që ne ëndërronim. Kur shihje tifozët në tarracat e pallateve që mbështesnin skuadrën, ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Kam një falënderim edhe për bashkinë për mbështetjen që i ka dhënë futbollit, që bënë të mundur lindjen e këtij klubi për të bërë një punë kolosale më pas.

Si e prisni tani Elbasanin në Superioren? 

Asgjë nuk është momentale. Nëse kthehemi pas do të themi që kemi një histori, nëse do flasim për tani, do të themi që po bëjmë një mrekulli. Ajo nuk vjen nga natyra apo Zoti, por nga puna e madhe. Tani është e ardhmja dhe e them me bindje që edhe ajo do të jetë e bukur. Ne do të jemi gjithnjë pjesë e Superiores, por të kemi një ambicie për të qenë edhe pjesë e Europës. Nuk e them për momentin dhe shpejt e shpejt, pasi Superiorja është diçka tjetër. Me kalimin e viteve ne duhet të jemi pjesë e këtyre objektivave.

Si e sheh kontigjentin e lojtarëve aktualë për në Superiore? 

Nuk di të them se sa nga ky grup lojtarësh janë të domosdoshëm për në elitë, pasi i përket klubit. Këtë vit ka qenë luks, sepse pjesa dërmuese ishin lojtarë të Superiores. Ne duhet të krijojmë dy gjëra, të qenit në Superiore dhe perspektiva. Nëse i mendojmë këto, them se nuk do të vdesim kurrë. Kam bindje që futja në Superiore do të jetë e bukur dhe e gjatë. Këta njerëz do t’i japin akoma emocionin e futbollit në qytetin tonë.

E prisnit sigurimin e Superiores katër javë para mbylljes së kampionatit nga Elbasani? 

Fillimi i kampionatit tregoi që Elbasani do të ishte pretendente për në Superiore. Rruga që vazhduam ishte e vështirë, sepse aty ka ekipe tradite. Në ndeshjen e parë që dolëm barazim në Fushë-Krujë shumë njerëz ishin skeptikë, unë jo. Shihja punën dhe obligimin që bëhej në këtë klub.

Janë në vendin e parë, a do ta ruajnë dot deri në fund kryesimin? 

Motivi ynë ishte të ngjiteshim. Jemi në vendin e parë dhe kemi luftuar, e cila do të vazhdojë deri në fund, ndaj pse të mos jemi edhe kampionë. Do të jetë një nxitje edhe më e madhe, por edhe nëse nuk dalim, ne sërish kemi bërë një mrekulli që jemi në Superiore, duke qenë pretendentët kryesorë që nga fillimi i kampionatit.

A mund të nisë një cikël fitues, ndoshta si Skënderbeu ky Elbasan? 

Unë them që Elbasani do të jetë një ekip me oreks. Ky qytet ka një oreks që ka munguar për më shumë se 15 vite. Uroj që futja në Superiore dhe zhvillimi i saj do t’i përkasë një cikli të ri të së ardhmes, të mos ketë paragjykime, sepse këto e dëmtojnë futbollin. T’i themi stop paragjykimeve. Në futboll bëhen edhe gabime dhe ato janë njerëzore. Këta njerëz duhet t’i japin një nxitje dhe kulturë të re futbollit, ashtu siç e ka pasur Elbasani.

Na thoni dy fjalë edhe për tifozerinë, si e prisni tani në Superiore? 

Edhe Superiorja na kishte zili me tifozerinë që kemi, por kam edhe një vërejtje për ta. Disa gjëra duhet të frenohen, pasi do të merrte një kuptim edhe më të bukur gara. Futbolli nuk është vetëm për djemtë, por edhe për pleq, gra apo fëmijë. Nëse shkojmë te kjo kulturë, do të shihni se çfarë ekipi dhe futbolli do të kemi, do t’ia kalojmë edhe Skënderbeut. Unë kam nostalgji për Skënderbeun se kam kontribuar për të. Jam pro futbollit të bukur dhe njerëzve të bukur, vetëm se duhet të frenohen pak me sharjet dhe të bëhemi edhe më të bukur.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"