Kërkohet kalimi në finalen e “play off”-it, Ismailaj dhe Fejzaj: Tregojmë sa vlen Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 11:48

Kërkohet kalimi në finalen e “play off”-it, Ismailaj dhe Fejzaj: Tregojmë sa vlen Tomori

Beratasit i kanë dhënë dje fund seancës stërvitore antiKorabi, që do të jetë dhe i pari takim i vlefshëm për fazën “play off”. Tomori do të zbresë në fushë për të fituar.

tomori

Këtë e pohon për “Panorama Sport” edhe mesfushori Lauren Ismailaj: “Nga kjo përballje, skuadra e Tomorit do të nisë rrugëtimin drejt Superiores, që është një mision i vështirë, por aspak i pamundur për një skuadër si kjo jona. Do të na duhen tri finale për të kapur elitën dhe nga sot me Korabin ne nisim rrugëtimin që do të tregojë qartazi se sa cilësi dhe ambicie kemi ne për të arritur elitën. Për mua dhe gjithë skuadrën tonë, do të jetë rasti që të tregojmë se Tomori nuk është aspak më poshtë se Skënderbeu dhe Dinamo”, ka mbyllur deklaratën e tij organizatori i Tomorit.

FEJZAJ – Para sfidës ka folur edhe mesfushori Fejzaj: “Të gjithë e kemi pritur me padurim fazën ‘play off’, sepse jemi të ndërgjegjshëm se Tomori meriton elitën po aq sa dhe dy skuadrat që u ngjitën direkt. Kështu, të gjithë futbollistët do të tregojmë nga ndeshja e sotme se sa vlen vërtetë Tomori i këtij sezoni. Ndeshja me Korabin do të jetë nga më të bukurat e kësaj faze dhe ne jo vetëm duam që ta mundim kundërshtarin tonë në fushë, por edhe me tifozërinë tonë që është për mua nga më të veçantat në futbollin shqiptar. Jam i sigurt se sot Tomori do të luajë me 12 futbollistë përballë Korabit”, tha Fejzaj.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"