“Kërcënon” Shanaj: Lushnja t’i harrojë pikët në… Fier. Ja rivalët e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2023 | 21:55

“Kërcënon” Shanaj: Lushnja t’i harrojë pikët në… Fier. Ja rivalët e Apolonisë

Jeraj Rodriges është është përpjekur që të largojë presionin nga të tijtë, gjatë seancës së djeshme. Kur jemi në prag të derbit, trajneri i ka dhënë rëndësi anës psikologjike. Një lloj “terapie”, që ka çliruar edhe lojtarët gjatë stërvitjes. Po punohet edhe me ndërtimin e 11-shes, që edhe këtë javë do të ketë mungesa.

apolonia

Mbrojtësi Ndubuisi nuk është rikuperuar dhe e njëjta gjë vlen edhe me mesfushorin Rajab, i cili vijon të jetë i dëmtuar. “Dhimbjet” e kokës për stafin teknik, ku i skualifikuar është edhe mesfushori Diambomba. Apolonia nuk ka në plan që të falë “derbin”. E presin Lushnjën në shtëpi dhe hesapet janë të qarta. Mateo Shanaj mendon se janë favoritë në këtë përballje, ndonëse nuk i kursen elozhet për kundërshtarin. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori flet edhe për synimet e fierakëve dhe zbulon dy rivalët.

E mbyllët fazën e parë në vendin e tretë. Brenda pritshmërive?

Të jem i sinqertë, jemi pjesërisht të kënaqur me fazën e parë. Mendoj se duhet të kishim bërë më tepër. Pozicioni aktual në renditje nuk është aspak objektivi ynë, sidoqoftë kampionati nuk ka mbaruar ende.

Të mërkurën prisni Lushnjën në “Loni Papuçiu”. Si e keni përgatitur këtë ndeshje “derbi”?

Ne këtë ndeshje e kemi përgatitur dhe vlerësuar si çdo ndeshje tjetër në kampionat, me të njëjtin seriozitet, përulësi e përkushtim. “Derbi i Myzeqesë” është thjesht dhe vetëm ndeshja jonë e radhës. Nuk ka fare rëndësi cili ekip është përballë, ne kemi synimin të marrim pikët maksimale edhe të vazhdojmë ecurinë me rezultate pozitive në çdo javë.

Barazimi është i pranueshëm në këtë 90-minutësh?

Në fushë hyjmë vetëm për tri pikët dhe përjashtime nuk bën as Lushnja. Do të japim maksimumin për të fituar çdo ndeshje që e luajmë në “Loni Papuçiu”. Ne vlerësojmë njësoj çdo kundërshtar, por nuk do të falim. Pa harruar që kemi edhe një arsye tjetër, që përkon me startin e fazës së dytë dhe ne duhet ta nisim me këmbën e mbarë.

Cilët janë kundërshtarët e Apolonisë?

Meqenëse Bylisi dhe Elbasani janë sipër nesh në tabelën e renditjes, atëherë këto dy skuadra janë kundërshtaret e vërteta të Apolonisë. Por nuk duhet harruar në asnjë mënyrë Flamurtari e Vora, që po ashtu janë aty-aty. Gara është e hapur, kampionati është i gjatë dhe diferencat mes skuadrave janë të vogla.

Çfarë ka skuadra e Apolonisë më shumë sesa rivalët e tjerë?

Pika jonë më e fortë? Grupi i bashkuar dhe harmonia. Ky ekip ka karakter, shpirt gare në çdo ndeshje dhe organika është plot cilësi. Pa harruar edhe mbështetjen e tifozëve, veçanërisht në Fier që është mbështetje e madhe për ne.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"