“Kemi piketuar afrimet, presim nga merkato”, Nica: Me Laçin na duhet edhe një sforco e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2023 | 9:30

“Kemi piketuar afrimet, presim nga merkato”, Nica: Me Laçin na duhet edhe një sforco e fundit

Kukësi udhëton sot drejt Laçit për të dalë me një rezultat pozitiv, mundësisht me tri pikë. U bënë shtatë javë rresht që verilindorët kanë harruar se çfarë shije ka fitorja, ndaj edhe përballja me kurbinasit merr një rëndësi të veçantë në këtë aspekt. Fakti që në ndeshjet e fundit Kukësi e ka pasur “prenë” e preferuar bardhezinjtë, i jep një shtysë më shumë për të tentuar maksimumin.

nica

Për fat të mirë, skuadra e Stavri Nicës nuk ka lojtarë të dënuar për arsye kartonësh dhe të paktën tekniku do të hedhë në fushë ata që aktualisht po gëzojnë formë më të mirë, si fizike edhe mentale.

NICA – Në lidhje me përballjen e radhës, tekniku i bluve dha një prononcim për “Panorama Sport”, ku pranoi ngërçin dhe pasigurinë që kanë për shkak të situatës me pikët e munguara. Gjithsesi, ai ka besim se skuadra do të dijë të interpretojë si duhet të gjitha detyrat që do t’i ngarkojë në fushë për sfidën me Laçin.

“Duhet ta pranojmë që në këtë ndeshje vijmë paksa edhe me pasigurinë e pikëve në këto javët e fundit. Janë shtatë javë që nuk po fitojmë dhe kjo ka ndikimin e vet, edhe pse skuadra luan dhe ka dëshirë për të dalë me rezultat pozitiv. Së pari, shpresojmë që të bëhet një lojë e bukur dhe ta mbyllim mirë këtë vit, me lojëra të bukura. Në futboll duhet edhe pak fat për të marrë rezultatin dhe shpresoj që ta kemi edhe atë me vete në këtë ndeshje, për të marrë maksimumin e mundshëm”, u shpreh fillimisht në fjalën e tij për gazetën tekniku i Kukësit, i cili sot rikthehet në Laç, aty ku nisi këtë sezon, por u largua vetëm pas javës së parë.

MERKATO – Si të gjitha skuadrat, edhe Kukësi ka nevojë për merkato, duke parë edhe faktin që disa lojtarë do t’i largohen. Megjithatë, Nica tregohet i sinqertë, se jo çdo futbollist që dëshirojnë mund ta afrojnë dot, pasi duhen parë mundësitë financiare dhe njëkohësisht duhen bindur lojtarët që do të vijnë.

“Në fakt, e kemi thënë edhe më herët që skuadra ka nevojë për t’u përforcuar dhe këtë e kemi të qartë. Janë piketuar disa lojtarë, ndërkohë që të tjerë do na vijnë së shpejti për provë dhe do shohim nëse do të rezultojnë ata të duhurit. Duhet edhe të kuptojmë diçka në lidhje me merkaton, sepse nuk mund të afrojmë gjithnjë ata që ne duam. Së pari, do të shihen mundësitë financiare të klubit dhe së dyti, edhe dëshira e lojtarit. Mirëpo, ne i kemi të qarta ku na duhen afrimet dhe do të përpiqemi të bëjmë maksimumin tonë në këtë aspekt”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën tekniku i skuadrës së Kukësit, Stavri Nica.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"