“Kemi marrë vetëm 3 penallti”, Trumçi “skanon” sezonin: Peng që nuk shpëtuam, të ardhmen time e vendos… Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2023 | 23:35

“Kemi marrë vetëm 3 penallti”, Trumçi “skanon” sezonin: Peng që nuk shpëtuam, të ardhmen time e vendos… Bylisi

Mbylli sezonin e tretë në Ballsh dhe shpreson që të jetë i fundit. Dhe jo se nuk do të luajë më për Bylisin, por po tenton që të largohet jashtë Shqipërisë.

trumci

Vendimin ia ka lënë në dorë klubit, që di se si shiten lojtarët. Jemi duke folur për Aleksandër Trumçin, një nga mbrojtësit më të dalluar të linjës së djathtë.

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 22-vjeçari analizon me detaje kampionatin e fundit, por flet edhe për të ardhmen e tij. Veç fatit të munguar, mendon se rënia erdhi si pasojë e vendimeve të gjykimit dhe gabimeve që kanë bërë kryesisht në 15 minutat e fundit.

I shkuat shumë afër shpëtimit, por në fund ratë në Kategorinë e Parë. Si ishte ky sezon për Bylisin?

E nisëm sezonin me ambicie. Ishim një grup shumë i mirë futbollistësh. Më duhet që të theksoj se u bë një punë e mirë në klub, si nga ana e presidencës ashtu edhe nga stafi.

Në pjesën e dytë të sezonit, ekipi erdhi duke u konsoliduar më shumë, por nuk ia dolëm dhe jam shumë i keqardhur. Ndoshta na e vështirësuan garën edhe faktorë të tjerë…

Cilët janë këta faktorë që ua vështirësuan mbijetesën?

Nuk ka vend për justifikime, por edhe fati nuk ishte me ne. Them kështu, pasi në çdo ndeshje nuk kemi shfrytëzuar siç duhet rastet që na janë paraqitur dhe kanë qenë me shumicë. Veç kësaj, në shumë takime kemi humbur në minutat e fundit, që kanë qenë fatale.

Janë pikë të shkuara dëm. Në shumë sfida pas minutave 80’ – 85’ kemi lënë shumë pikë dhe nëse do të bënim llogaritë gjërat do të ishin ndryshe sot. Pastaj jemi skuadra që në një kampionat të gjatë, me rivalitet dhe luftë sportive, kemi marrë vetëm 3 penallti.

Pas 3 sezoneve, a e shihni veten pjesë të Bylisit edhe në Kategorinë e Parë?

Derisa jam nën kontratë, patjetër që unë jam pjesë e skuadrës mallakastriote. Në Ballsh më respektojnë të gjithë, më duan tifozët dhe më kanë respektuar shumë.

Natyrisht që janë shumë faktorë që më kanë bërë të ndihem mirë në këtë klub. Dhe, sigurisht që respekti duhet që të shpërblehet me respekt. Bylisi është një klub që shet lojtarë dhe këtë e ka treguar edhe në vitet e fundit, si me shqiptarët ashtu edhe me të huajt.

Po e prisni edhe ju një lëvizje të tillë?

Jam i sigurt që presidenca dhe unë do bisedojmë dhe do të ketë një vendim që do të na shërbejë të dyja palëve, duke u bërë më e mira.

Këtë vit keni mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ndonëse jeni vetëm 22 vjeç…

Po është shumë e vërtetë. Mua më ka ardhur keq që nuk kam mundur t’ia shpërblej ekipit dhe klubit. Bylisi ka pasur një nga ekipet më të mira të Superiores dhe personalisht jam munduar që të bëj një paraqitje shumë të mirë në çdo ndeshje. Është në karakterin tim të bëj më të mirën dhe dua që të fitoj edhe kur luajmë në miqësore.

Ju personalisht keni ndonjë preferencë për të ardhmen tuaj, ku keni dëshirë që të vazhdoni karrierën?

Është ende herët, por ndoshta nga muaji tjetër edhe mund të ketë vendimmarrje konkrete nga të dyja palët.

Një gjë theksoj, nëse iki, kjo do të ndodhë për më mirë, për mua dhe klubin. Por, edhe nëse qëndroj, do të jem këtu për një skuadër kompetitive dhe një projekt që ne të rikthehemi në elitë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"