“Kemi eksperiencë dhe jemi më të mirët, presioni te verdheblutë”, Bellai: Elbasani, fatin e të tjerëve në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 9:45

“Kemi eksperiencë dhe jemi më të mirët, presioni te verdheblutë”, Bellai: Elbasani, fatin e të tjerëve në Ballsh

Bylisi pret në shtëpi sot Elbasanin, takim i cili starton në orën 13:30 në stadiumin “Adush Muçaj” dhe mbyll fazën e dytë të kampionatit. Trajneri Arian Bellai ngulmon se skuadra e tij është më e mira në Kategorinë e Parë, madje këtë e ka treguar në çdo fushë.

Arian Bellai, trajneri i Bylisit

Në një prononcim për “Panorama Sport”, në prag të duelit me Elbasanin që vendos edhe kreun si dhe përcakton kalendarin e fazës së tretë, trajneri Bellai hedh “dorashkën”: Do fitojmë se jemi me të mirët… s’ka ku të shkojë. Elbasani është nën presion…”

Bellai, pas Kastriotit vjen Elbasani një ndeshje mund të themi “gjithçka për gjithçka”. Si e shikoni këtë takim?

Vijmë nga një disfatë në Krujë, por kam besim te djemtë. Kemi djersitur dhe kemi ardhur deri këtu duke respektuar veten në radhë të parë, klubin dhe fanellën. Jemi këtu sepse i kemi bërë hyzmetin dhe me

meritë kemi mundur çdo kundërshtar, edhe në transfertë. Ndeshja është përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme, kështu që sot duhet të tregojmë se në shtëpinë tonë askush nuk ia del.

Me këtë doni të thoni se të njëjtin fat do të ketë edhe Elbasani?

Po, sepse kemi qenë skuadra më e mirë gjatë gjithë sezonit duke mbajtur edhe vendin e parë. Kemi fituar në Vlorë, Vorë, Fier, Burrel, Berat, Luz, Kavajë, Lushnjë… Edhe në Elbasan ishim shumë afër fitores. Pavarësisht respektit që kam për Elbasanin, një klub me histori dhe traditë, janë një qytet në zemër të Shqipërisë që jetojnë me futbollin, por llogaritë e tyre t’i bëjnë pas ndeshjes me Bylisin. Në “Adush Muçaj” do të kenë fatin e rivalëve të tjerë.

Bylisin e mbajnë dy rezultate në krye, kurse Elbasani synon fitoren…

Ne kemi qenë në vend të parë që kur nisi gara dhe sot që po flasim, kemi pasur më pak luhatje. Por gara është e hapur dhe këtë e them nga eksperienca që unë kam si trajner dhe që e njoh mirë Kategorinë e Parë… Ne kemi më shumë eksperiencë në këtë kategori, por Elbasani është nën presion sepse i ka më afër dy rivalët e tjerë. Ne i kemi bërë mirë llogaritë tona. Ndaj, edhe me Elbasanin, duke qenë se jemi treguar ekspert këtë sezon do ta mundim, sepse dihet se kush është Bylisi në këtë kategori…

ERJON SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"