“Këmbëngulja e klubit më riktheu”, Bubeqi konfirmohet te skuadra ku kishte dhënë dorëheqjen dy javë më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2023 | 21:32

“Këmbëngulja e klubit më riktheu”, Bubeqi konfirmohet te skuadra ku kishte dhënë dorëheqjen dy javë më parë

Dy javë më parë dha dorëheqje, por dje bëri prapakthehu. Dorjan Bubeqi rikthehet te Burreli. Trajneri është rikonfirmuar në krye të pankinës edhe për sezonin 2023-2024.

Bubeqi

Është vetë kavajasi që e konfirmon këtë gjë për “Panorama Sport”, ndërsa jep edhe arsyet që e bëri këtë kthesë. Ai tregon se ka qenë një këmbëngulje e drejtuesve të klubit dhe tifozëve. “Jam rikthyer te Burreli. Në fakt, sikundër e thashë edhe kur dhashë dorëheqjen, u largova për shkak të angazhimeve personale për të qëndruar pranë familjes sime. Por ishte këmbëngulja e drejtuesve të klubit dhe tifozëve që më rikthyen. Ata ma prishën mendjen dhe bënë që unë të rikthehesha.

Falënderoj kryetarin e bashkisë që ma besoi edhe një vit skuadrën. Do të mundohemi të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin. Në bazë të gjendjes së lojtarëve që do të kemi në dispozicion do të vendoset edhe objektivi”, shprehet fillimisht numri një i stolit. Bubeqi paralajmëron edhe disa ndryshime në skuadër dhe kjo deri diku është e kuptueshme, kur dihet që shumica e të huajve janë larguar. “Do të kemi ndryshime në skuadër. Por kjo është dita e parë e punës. Na mbetet tashmë me të parë dhe me të bërë në vijim”, përfundon trajneri.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"