Kejn thellon rekordin me golin e 55-të, këpucë festive për bomberin më të mirë të Anglisë: Kanë qenë disa ditë magjike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 12:10

Kejn thellon rekordin me golin e 55-të, këpucë festive për bomberin më të mirë të Anglisë: Kanë qenë disa ditë magjike

Në ditën që merrte mesazhe urimi nga kryeministri Rishi Sunak, legjenda Tom Bredi apo ish-kapiteni Dejvid Bekham, Herri Kejn, golashënuesi më i mirë i historisë së kombëtares angleze, u nderua me një ceremoni të veçantë në “Wembley” përpara ndeshjes me Ukrainën, ku të pranishëm për të festuar 54 golat e tij në 81 ndeshje ishin dhe gruaja me tre fëmijët e tyre.

kejn

Kejn shënoi golin e 54-t me “tre luanët” në kualifikuesen e parë të “Euro 2024” kundër Italisë të enjten në Napoli. Dhe për ta thelluar akoma më tej rekordin, duke shënuar golin e 55- të me fanellën e Anglisë kundër Ukrainës, për sulmuesin 29-vjeçar të Totenhemit ishin përgatitur një palë këpucë speciale, me numrin 54 mbi to dhe inicialet e tre fëmijëve të tij: “Vivi”, që qëndrojnë shkurtimisht për Vivien, “Ivi” dhe “Luis” shoqëruar me datëlindjet e tyre.

Mbi to ishte shkruar edhe “golashënuesi më i mirë” dhe “kapiteni” shoqëruar nga disa flamuj të vegjël të Anglisë.

kejn

“Kanë qenë disa ditë magjike dhe dy rezultate të shkëlqyera për të nisur ashtu siç duhej fushatën kualifikuese të Europianit. Kam marrë shumë mesazhe nga miq, familjarë dhe ishfutbollistë. Kanë qenë ditë shumë emocionuese. Ishte e tillë edhe për shkak të situatës që po kalon Ukraina. Jam i lumtur për një tjetër gol, por ajo, e cila ka rëndësi është që skuadra fitoi një ndeshje tjetër të rëndësishme pas asaj kundër Italisë”, tha kapiteni i Anglisë për “Channel 4”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"