Kavajasit rikthen të dielën te “shtëpia me qira”. Besa në Lushnje, aty ku miqtëbëhen ”armiq” vetëm për një ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 21:29

Kavajasit rikthen të dielën te “shtëpia me qira”. Besa në Lushnje, aty ku miqtëbëhen ”armiq” vetëm për një ditë

Asnjë nga dy ekipet, Besa dhe Lushnja, nuk do të donin të takoheshin në të tilla kushte, ku kërkojnë me çdo kusht të mposhtin njëra-tjetrën. Besa do të kthehet të luajë në ”shtëpinë e saj me qira”, në të cilën ka luajtur shumë sfida, madje ka pasur edhe fat.

besa lushnja

Këtë fundjavë gjërat ndryshojnë, pasi i duhet të mundë të zotët e shtëpisë në “Roza Haxhiu”. Të dy ekipet kanë të njëjtin hall, mbijetesën. Kavajasit vijnë pas 4 fitoreve radhazi, ndërsa Lushnja pas humbjes së thellë në Luz. Mes kavajasve e lushnjarëve përherë ka pasur shkëmbime lojtarësh e trajnerësh. Kohë më parë, lushnjari Ilir Gjyla drejtonte Besën, ndërkohë aktualisht ish-dyshja e Besës sezonin e kaluar, Magani–Dervishi, drejtojnë Lushnjën. Jo vetëm kaq, pasi kapiteni Mikel Canka vjet luajti për Besën.

Në janar Henri Solovari kaloi nga Besa te Lushnja. Ndërsa në kampin verdhezi drejton Dorjan Bubeqi, që jo shumë larg ishte idhulli i Lushnjës, i cili ka qenë sulmuesi i tyre më i dashur krahas Cankës. Për të gjitha këto, mund të thuhet pa frikë se dy miq si Lushnja e Besa do të shndërrohen në “armiq” vetëm për dy orë. Janë të gjitha këto ndërthurje dhe nevoja për pikë mbijetese nga të dy ekipet, që e bën tejet të paparashikueshme këtë sfidë dhe rezultatin e saj.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"