Katër fitore shprese për kavajasit, kapiteni Perja: Ja si ndryshoi Besa me trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 1:09

Katër fitore shprese për kavajasit, kapiteni Perja: Ja si ndryshoi Besa me trajnerin e ri

Besa i është shkëputur vendeve të fundit dhe gjasat janë që të largohet përfundimisht nga zona e “play out”-it. Shumë skeptikë, duke parë kalendarin dhe pikët që Besa kishte, e bënë fakt të kryer rënien e kavajasve nga kategoria.

perja duke festuar golin te Besa

Në dy takimet radhazi në transfertë, Berat dhe Burrel si dhe duke pritur rivalët direkt Luzin e Kastriotin, pak besuan se Besa e Dorjan Bubeqit mund të merrte 9 ose 10-të pikë e jo më plot 12 pikë, që erdhën nga 12-të gola. Kavajasit, në 4 javët e fundit do të udhëtojnë fillimisht në Fier, më pas në Lushnjë dhe do të presin Korabin e Flamurtarin. Por, si ndryshoi kjo Besë në vetëm pak javë?

Nga dita kur mori drejtimin e skuadrës Dorjan Bubeqi, një ish– golashënues, madje në listën e 100 më të mirëve në Europë, një trajner me përvojë në drejtim të disa ekipeve, do të deklaronte se situatat e vështira nuk e trembnin, ndërkohë që me Besën vinte në punë zemrën. Koha tregoi se ai e mbajti fjalën duke rikthyer jo vetëm në lojë verdhezinjtë, por edhe në rezultate. Të njëjtin “operacion shpëtimi” bëri edhe vjet me Burrelin kur e mori të fundit dhe e la në Kategorinë e Parë. Por çfarë ndryshoi Bubeqi te ky grup?

Perja– Kapiteni Skerdjan Perja e thotë qartë dhe drejt atë çfarë Bubeqi ndryshoi te Besa. ”Së pari, e mbi të gjitha ndryshoi ditë pas dite mentalitetin, psikologjinë fituese në grup. Së dyti dhe me peshën kryesore, ai si një ‘ujk’ goli diti të praktikonte skema dalje në sulm, shpejt, qartë dhe efikase. Ua bëri më të lehtë sulmuesve daljen para portës dhe në situata thuajse të vetme me portierët.

Dhe e fundit që ndryshoi tërësisht lojën e kavajasve, ishte specifikimi i detyrave të secilit, duke ndërtuar një formacion me mentalitet e bindje fituesi. Si kavajas, Dori e përjeton fatin e Besës të lidhur me qenien e tij e kjo ndihet e ndikim te secili prej nesh. Thënë shkurt, Besa ka gjetur ‘kirurgun’ që di të bëjë ‘operacion’ aty ku duhet. Në fakt, tifozët që pas ndeshjes me Kastriotin filluan të thërrisnin: ‘Bubeq, ku ishe deri dje?’. Një mbështetje totale për të, por edhe apel i qartë për presidentin Bizhdili”, përfundoi Perja.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"