KATEGORIA E TRETË/ Shpërthen festa në Tropojë! Valbona ngjitet në të Dytën (REZULTATET DHE RENDITJA)
Valbona është zyrtarisht pjesë e Kategorisë së Dytë. Me ndeshjen e luajtur dje në Tropojë, ata kanë siguruar matematikisht misionin.
Me mirëkuptimin e Osumit, të fundit javë për Kategorinë e Tretë e kanë luajtur në shtëpi.
Të martën në mesditë të dyja ekipet udhëtuan drejt qytetit Bajram Curri, ku edhe kaluan natën.
Skuadrat u poqën në hotel për të ndjekur fillimisht Kukësi-Partizani e më pas shijuan Vijareal–Liverpul.
E mërkura ia lë vendin ndeshjes së tyre, e cila për miqtë nuk kishte ndonjë vlerë. Ata janë të fundit, ndaj thjesht luajtën për qejf.
Rreth orës 11:00 u rreshtuan në fushën e stadiumit “Valbona”. Në praninë e afro 200 tifozëve, atmosfera ishte elektrizuese.
Vendësit nuk mund të gabonin kurrsesi në shtëpi dhe as linin përgjysmë misionin që i kishin vënë vetes që në nisje të këtij sezoni.
Albi e Rigers Balliu kanë hapur serinë e golave, ndërsa Seci e Hajdari plotësojnë “pokerin” në pjesën e parë. Pa shkuar në pushim ama, dimalasit fitojnë një penallti të shkaktuar nga Lala dhe kapiteni Gucaj nuk fal.
Ai shkurton shifrat në 4-1. Pjesa e dytë fillon me një gol të Kallu e më pas Mecuku shënon një supergol duke e dërguar rezultatin në 6-1. Kështu, Valbona tashmë ka prekur Kategorinë e Dytë, ndërsa të premten mbyllet krejt kampionati.
Në Kamzë do të jetë Elbasani që do të luajë me Delvinën dhe më pas marr kupën e kampiones.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
