KATEGORIA E TRETË/ Osumi surprizon Gramozin, festojnë Memaliaj dhe Albpetroli. Ja të gjitha rezultatet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2023 | 11:50

KATEGORIA E TRETË/ Osumi surprizon Gramozin, festojnë Memaliaj dhe Albpetroli. Ja të gjitha rezultatet

Nuk ka pasur pushim në Kategorinë e Tretë. Fundjava ka rikthyer futbollin në nivelin e katërt, por edhe “festivalin” e golave. U zhvilluan gjashtë ndeshje dhe në total pati 21 rrjeta. Në Grupin A u mbyll java e parë, por nisi edhe dyta. Zyrtarisht nisi rrugëtimin në këtë ligë edhe Grupi B, atje ku ka ekipe që nuk janë të panjohura dhe kanë një histori. Nuk kanë munguar as surprizat…

kategoria-e-trete

ARNISA-KLOSI

Arnisa përmbysi 3-1 Klosin në Lekaj. Skuadra nga Divjaka e nisi me vrull sezonin. Edhe pse pjesa e parë u mbyll me matjanët në avantazh, që gjetën rrjetën në limite me Cevanin, pas pushimit shifrat ndryshuan. Një dopietë e Koçit në të 58-ën dhe 73-ën dhe Sula në të 90-ën mjaftuan për trepikëshin. Mund të kishte barazuar shifrat edhe Doma në të 77-ën, por shpërdoroi nga pika e bardhë.

a

BASANIA-PËRMETI

Basania ka luajtur të dytën ndeshje dhe nuk ka falur. Mundi 2-1 Përmetin dhe kryeson Grupin A. Ishte një 90-minutësh i luftuar dhe sidomos në fundin e saj. U dhanë tre të kuq, konkretisht për Sidibenë, Mucejanin dhe Ziflën. E megjithatë, rrjetat e Milës dhe Shimajt vlejnë për pikët e plota. Për përmetarët nuk mjaftoi goli i Merkos.

b

BULQIZA-EAGLES

Eagles kanë likuiduar Bulqizën, me një fitore të pastër. Tre gola për tri pikë shënoi skuadra e Mozart Ukës, në këtë ndeshje të dytë sezonale. Çibuku, Ahmati dhe Bardhi gjetën rrjetën dhe u dhanë qetësi miqve. Bulqizakët reaguan, por vetëm në shtesë. Dhe ai gol i Mamutajt nuk mund të ndryshonte asgjë.

c

ALBPETROLI-HIMARA

Albpetroli “shfryn” që në start. Fiton 3-0 në “Alush Noga”. Përballë kishin Himarën, që nuk mundi të përballonte presingun e patosarakëve. Në të 10-ën mendoi Borova të zhbllokonte rezultatin, ndërsa qetësinë e dha Dhrami në të 57-ën. Shënoi edhe Gropa në shtesë, sa për të vulosur “trisin”. Kumanaku kishte mundësinë e mirë në të 75’-ën për të dërguar shifrat në 3-0, por sulmuesi gaboi nga pika e bardhë.

d

GRAMOZI-OSUMI

Gramozi zhgënjen në shtëpi. Përballë Osumit janë mundur me rezultatin 0-2. Pjesa e para ka folur e gjitha për kolonjarët, por shënjestra mungoi. Në të dytën, “frenat” i marrin miqtë. Kolonjarët ishin inekzistentë në fushë. Mbrojtja gaboi dhe shkakton një 11-metërsh në të 61-ën, që Daullaxhiu nuk e fali. Pas 7 minutash, i njëjti protagonist shënon sërish. Për të ardhur në të 73-ën, kur të gjithë menduan se Gramozi do të shkurtonte diferencën me penallti. Kapiteni E.Mydini e merr përsipër, por shpërdoron.

e

MEMALIAJ-TEPELENA

Memaliaj luan “poker” me Tepelenën. Kanë dominuar, duke treguar ambicie që në start. Aq të etur ishin për gola, sa për 5 minuta shënuan dy me anë të Hysit dhe Lalës. Kaq për këtë pjesë, ndërsa në të dytën I.Kalemi ngushtoi shifrat për ekipin e Ilir Selimit. Kjo vetëm sa ngacmoi vendësit, që shtuan sulmet dhe në të 69-ën çuan shifrat në 3-1 me Drizën, ndërsa Hysenllari katërfishoi në të 80-ën.

f

g

h

Bashkëpunuan: A.DUSHKU/ L.FEJZULLAH/ K.LILO/ R.SULI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"