Kategoria e Tretë nis të dielën, 15 skuadra në garë / Prestige pretendente në grupin A, B-ja është “zjarr”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2023 | 13:41

Kategoria e Tretë nis të dielën, 15 skuadra në garë / Prestige pretendente në grupin A, B-ja është “zjarr”

Pritja merr fund. Kategoria e Tretë nis zyrtarisht të dielën. Është hedhur më në fund shorti për nivelin e katërt të futbollit në vend, i cili vitet e fundit ka marrë shumë vëmendje. Zyrtarisht janë 15 skuadra në garë, të ndara në dy grupe (8 tek A-ja dhe 7-të te B-ja . Do të jetë disi ndryshe ky edicion.

kategoria-e-trete

Është vendosur që te Grupi A të luhet i gjithi mes Tiranës dhe Kamzës, derisa pjesa dërrmuese e pjesëmarrëseve janë nga ky qark. Ndryshe do të veprohet me grupin tjetër, që do të ketë sistemin klasik të ndeshjeve në shtëpi dhe transferta.

Në total kanë 14 javë për të luajtur, nga 7 për çdo fazë. Direkt do të ngjiten skuadrat kryesuese për çdo grup, ndërsa skuadrat që do të pozicionohen të dytat do të ndeshen në “play out” me të parafundit në Kategorinë e Dytë.

GRUPI A – Grupi i parë do të jetë vërtet interesant. Nëse Klosi, Kinostudio, Basania, Eagle, Përmeti dhe Bulqiza nuk e kanë për herë të parë pjesëmarrjen në këtë ligë gjysmëamatorë, nuk vlen e njëjta gjë për Arnisën dhe Prestige.

Që të dyja janë debutuese, por me një diferencë të vogël. Prestige ka eksperiencën e madhe mbi supe dhe do ta nisë direkt këtë edicion me pretendime madhore. Do të kërkohet titulli dhe rrjedhimisht ngjitja direkte në Kategorinë e Dytë.

Jemi duke folur për një klub që ka arritur të fitojë gjithçka në kompeticionet e minifutbollit, por edhe në futbollin me 9 lojtarë. Në palmaresin e tij numëron 4 tituj “6×6”, një herë kampion në “Sunday League 9×9”, fitues i FSHF Cup dhe FSHF Supercup.

Pa harruar edhe përvojën e rëndësishme në arenën ndërkombëtare, duke mbërritur deri në gjysmëfinalet e Champions-it të minifutbollit, rezultati më i lartë për një ekip shqiptar në këtë eveniment.

a

GRUPI B – Në grupin tjetër, ku përfshihen që të gjitha skuadrat e jugut, do të ketë një garë vërtetë të ashpër. Do të jetë “zjarr” gjithçka, pasi ekipe si Gramozi, Osumi, Albpetroli, Himara, Memaliaj, Skrapari dhe Tepelena do të luftojnë për kreun dhe ngjitjen në elitë.

Që të gjitha kanë investuar dhe kjo parashikon një “luftë” të vërtetë, sidomos me formulën me sistem vajtje-ardhje.

b

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"