KATEGORIA E TRETË/ Klosi mund me vështirësi Basaninë, Kinostudio-Këlcyra skuqet për “X”. Ja rezultatet dhe renditjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 10:40

KATEGORIA E TRETË/ Klosi mund me vështirësi Basaninë, Kinostudio-Këlcyra skuqet për “X”. Ja rezultatet dhe renditjet

Dy ndeshjet e luajtura dje në Kamzë kanë çelur dhe javën e 10-të për Kategorinë e Tretë. Nëse për Grupin A kjo ishte dhe java e fundit e fazës së dytë, për Grupin në B janë ende edhe 4 javë për t’u luajtur. Deri tani janë luajtur gjithsej 56 ndeshje, që kanë prodhuar shënuar 217 gola. Golashënuesi më i mirë deri tani është Adhurim Hasani (Adriatiku) me 16 gola, i ndjekur nga 17- vjeçari Enklejd Fuçija (Adriatiku) me 9-të e më pas vjen Shyqyri Hasa (Këlcyra) me 8 gola dhe Eduard Korra (Spartaku) me 7…

kategoria-e-trete

Basania-Klosin ishte ndeshja e parë, e cila prodhoi lojë të fortë dhe 5 gola. Matjanët zhbllokuan shifrat pas vetëm 4 minutash, me anë të Kleo Kurti. E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e shkodranëve, që barazojnë me anë të Albert Milës pas 13 minutash.

Fraksioni i parë do të mbyllej 2-1 për skuadrën e Lulzim Kolës, pasi në të 39-ën shënoi Flogert Doma.

Pas pushimit skuadrat shënojnë edhe nga një gol tjetër. Trefishuan klosjanët me anë të Eluerd Gjokës, ndërsa Harri Lika shkurton shifrat në 3-2, duke vulosur përfundimisht takimin.

01

Në takimin e dytë, Kinostudio–Këlcyra, pati një ekuilibër të plotë si në shënimin e golave (1 me 1) dhe kartonëve të kuq (1 me 1), por edhe në faullet e regjistruara (13-13). Të parët shënojnë këlcyrjotët me anë të Shyqyri Hasës në minutën e 30-të, duke shkuar në pushim në favor.

Por Kinostudio do të vuante shumë në fraksionin e dytë, pasi për 47 minuta do të luante me 10-të lojtarë. Igli Balliu do të merrte brenda 1 minute dy të verdhë e të dyja për ndërhyrje.

Në fraksionin e dytë, Kinostudio e nis më bukur në kërkim të golit të barazimit, por dështon.

Këlcyrjotët kanë raste të shumta për shënim, madje Arvi Shala në minutat 68’ dhe 78’ trondit traversës dhe shtyllën pingule. Por në të 74’-ën, numri i lojtarëve në lojë barazohet 10 me 10.

Afrikani Kallu do të ndëshkohej me dy kartonë të verdhë dhe të kuqin më pas. Trajneri Gledis Gjonpalaj e shfrytëzon këtë moment dhe hyn vetë në fushë duke u bërë protagonist në aksionin e minutës së fundit, kur depërton në zonë.

Portieri Sulenji pret në mënyrë të gabuar dhe penallti. Nga pika e bardhë, Egin Bajraktari nuk gabon dhe çon shifrat finale në 1-1. Këtu mbyllet i gjithë takimi.

02

Sot dhe nesër do të luhen dhe 4 takimet e tjera të javës së 10-të.

03

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"