KATEGORIA E TRETË/ Hysko: Me Basanian kthehemi te fitorja, Prestige e arrin qëllimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 9:45

KATEGORIA E TRETË/ Hysko: Me Basanian kthehemi te fitorja, Prestige e arrin qëllimin

Prestige mori një goditje të rënë javën e shkuar, ku humbja me Bulqizën u kushtoi lëshimin e kryesimit, si dhe u dëmtua qendërsulmuesi Aldo Branica. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësi Gilbert Hysko tregon shkaqet e kësaj disfate, që sipas tij duhet harruar sa më shpejt. Hysko ka besim se Prestige do të dijë të reagojë në dy ndeshjet dhe të marrë sërish vendin e parë. Hysko e shikon më të vështirë se në fazën e parë përballjen me Basanian.

PREStIGE

U mundët nga Bulqiza, sa peshë pati kjo disfatë për Prestige?

Ishte një humbje që na kushtoi jo pak. Përveçse lamë tri pikë, humbëm dy vende në renditje, si dhe një lojtar të rëndësishme, Aldo Branica.

A ndikoi ndërprerja e lojës dhe dëmtimi i Branicës te humbja?

Sigurisht që ndikoi shumë. E para, ne të gjithë e patëm mendjen te shëndeti i lojtarit tonë, se si do të shkonte plaga që mori dhe masa e dëmtimit të Aldo Branicës. Kjo ndikoi shumë në anën psikologjike të skuadrës, por edhe ndërprerja e gjatë sikur i zbehu forcat tona.

Psikologjikisht, a e keni kaluar shijen e disfatës së fundit?

Skuadra e ka lënë pas atë humbje që na kushtoi shumë psikologjikisht. Synimet tona dihen, ndaj duhet harruar sa më shpejt kjo humbje për të menduar ndeshjen e radhës. E gjithë vëmendja duhet të përqendrohet te takimi i së dielës kundër Basanias.

Sa e rëndësishme është kjo ndeshje ndaj Basanias?

Është aq e rëndësishme sa një finale për të fituar titullin. Është skuadra që ka kryesuar me meritë deri tani, por ja që krijohen probleme edhe ajo u ndal javën e kaluar nga Eagles.

I keni mposhtur në ndeshjen e parë, si e prisni këtë sfidë të radhës?

Nëse në ndeshjen e parë e mposhtëm, sepse ishim më të motivuar për ta fituar. Këtë radhë, sfida do të jetë më e vështirë, pasi kampionatit po i vjen fundi dhe të gjitha skuadrat kanë synimet e tyre, sikurse edhe Basania. Megjithatë, trajneri Dulo ka ngritur moralisht ekipin, pasi nuk e ka bërë dramë humbjen me Bulqizën. Në këtë ndeshje ne do të hyjmë në fushë vetëm për fitore. Asnjë rezultat tjetër nuk është i pranueshëm.

Luani ndaj rivalëve direkt në ndeshjet e radhës, mendon se do t’ia dilni?

Në këto dy ndeshje të radhës mes kryesuesve, ne na duhet vetëm fitorja për të kapur sërish vendin e parë. Ky është qëllimi i gjithë sezonit.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"