KATEGORIA E TRETË/ Gramozi dhe Skrapari tregojnë forcën në start (REZULTATET DHE KALENDARI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2022 | 11:44

KATEGORIA E TRETË/ Gramozi dhe Skrapari tregojnë forcën në start (REZULTATET DHE KALENDARI)

Janë luajtur dje dy takimet e radhës në kompleksin e Kamzës, të vlefshme për javën e parë të Kategorisë së Tretë.

KATEGORIA E TRETE

Gramozi dhe Skrapari i kanë bërë një nisje pozitive kampionatit, duke mposhtur respektivisht Drinin dhe Çermën. Kanë qenë dy ndeshje mjaft interesante, teksa vuajtën jo pak kolonjarët e rënë nga Kategoria e Dytë vetëm në sezonin e fundit. Ashtu si Gramozi, edhe Skrapari kërkon që këtë kampionat të synojë rikthimin në të Dytën.

SK 1 (1)

NDESHJA E PARË

Takimi mes Skraparit dhe Çermës debutuese ka qenë mjaft i bukur. Pati një qarkullim të bukur të topit nga skuadra lushnjare, por që i mungonte njeriu gol.

Trajneri Lulzim Muça ishte mjaft aktiv në udhëzimet ndaj lojtarëve, por skraparllinjtë me më përvojë arritën të shënonin dy gola në 8 minutat e fundit të pjesës së parë.

Fillimisht Amarildo Haxhiu, pasi ka marrë një asist nga Bledar Hajdari, gjuan fuqishëm dhe shënon golin e parë.

Më pas është sërish Hajdari ai që fiton dyluftimin me Kiptiun dhe arbitri akordon 11-metërsh.

Nga pika e bardhë ekzekuton kapiteni Klevis Jaho, që nuk fal dhe 2-0 mbyllet fraksioni i parë në favor të Skraparit.

Në pjesën e dytë skuadra e Skraparit lëshon në lojën e saj, madje trajneri Albert Spahiu zëvendëson të tre sulmuesit, duke qenë i sigurt për fitoren. Nga kjo përfiton skuadra e Çermës, e cila arrin të ngushtojë me anë të Armand Priftit 2-1, por gjithsesi sfida mbyllet me fitoren 2-1 të Skraparit.

SK (1)

NDESHJA E DYTË

Në ndeshjen e dytë mes Gramozit dhe Drinit, skuadra kolonjare e drejtuar nga Ilir Qirjako vuajti jo pak, edhe pse ia doli të merrte tri pikë.

Skuadra dibrane e Drinit është treguar një kockë e fortë për ekipin kolonjar, madje takimi mund të kishte përfunduar edhe në barazim.

Fillimisht kanë qenë kolonjarët që kanë shënuar golin e parë me anë të mbrojtësit Gerald Gjoni. Ky i fundit godet fuqishëm në minutën e 9-të dhe tund rrjetën.

Më pas loja ka qenë më e mirë e skuadrës së Drinit, e cila ka mundësinë e artë për ta barazuar, por në minutën e 35-të Emiljano Mejdani humbet penalltinë, teksa goditja e tij përplaset në traversë.

Në 10 minutat e fundit Hasalami i sapo futur godet dy herë fuqishëm drejt portës së Xhoxhajt, por për fatin e mirë të Gramozit, topi grushtohet nga portieri kolonjar, duke lënë në fuqi golin e vetëm të takimit, të shënuar nga Gjoni.

RE (1)

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL