Kategoria e Tretë/ Delvina e dyta, Skrapari fiton me polemika (REZULTATET DHE RENDITJA)
Mbyllet java e 5-të e Kategorisë së Tretë. Janë luajtur dje pasdite edhe dy ndeshjet e dyta, ku fitimtarë kanë dalë Skrapari dhe Delvina.
Këta të fundit mundën 5-0 Drinin, duke treguar supermaci. Që në pjesën e parë vendosën diktatin, teksa shënuan tre gola. Bibo që në minutën e 2-të, Zotaj me autogol dhe Lala në të 23-ën.
Pas pushimit ishte radha e Zhuniorit dhe Theodhorit. Ky rezultat mund të ishte dhe më i thellë, pasi Çulli në të 28-ën tronditi vetëm traun.
Në ndeshjen tjetër, Skrapari përmbysi Spartakun në fund. Pjesa e parë shfaqi ekipin pritës më kërkues dhe rastet nuk i munguan.
Dahriu u shfaq mjaft problematik për portën e skraparllinjve, por dy gjuajtje përfunduan ngjitur me traversën dhe të tretën ia priti Beqollari.
Ndërkohë që Bulku i pafat u ndal nga shtyllën pingule. Fraksioni i dytë nis me golin e Spartakut ku Osman Bulku shënon një supergol.
Por më pas është Skrapari që do të përmbysë shifrat, Rrushi shënon golin e barazimit dhe trondit traversën 5 minuta më vonë e Haxhiu do të shënojë nga pika e penalltisë duke u dhënë fitoren skraparllinjve 2-1.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
