KATEGORIA E TRETË/ Albanët dhe Spartaku nuk falin, marrin kreun e Grupit A dhe B (REZULTATET DHE RENDITJA)
Mbyllet java e dytë e Kategorisë së Tretë.
Me dy ndeshjet e zhvilluara dje në Kamzë, ka marrë formë edhe renditja. Adriatiku dhe Albanët kanë mundur Basaninë dhe Spartakun, duke marrë kryesimin e Grupit A dhe B.
Të parët janë argëtuar dhe 6 golat janë dëshmia më e mirë, ndërsa të dytët janë mjaftuar me 3 rrjeta.
BASANIA–ADRIATIKU 1-6
Kjo ndeshje dhuroi spektakël. Adriatiku ishte i papërmbajtshëm. Skuadra që përfaqëson njësinë administrative Katundi i Ri në Durrës, mundi 6-1 Basaninë.
Trajnerin Ded Mehmeti më shumë se rezultati e gëzon pa masë loja e tre të rinjve, Enklejd Fuçia, Flogert Lala dhe Besim Loci që kanë shpërthyer në gola dhe pasimet e bukura.
Kështu, tri herë Enklejd Fuçija, dy herë Adhurim Hasani dhe një herë Besim Loci do të gjenin portën kundërshtare.
Pothuajse e gjithë ndeshja është dominuar nga skuadra mike, të cilat shënuan dy gola në pjesën e parë me anë të Besim Locit një supergol nga encja dhe Adhurim Hasanin.
Ndërkohë që Enklejd Fuçija goditi shtyllën. Në fraksionin e dytë skuadra e Mehmetit shënon dhe 4 gola të tjerë. Enklejd Fuçija bëhet protagonist me tre gola të shkëlqyer.
Adhurim Hasani plotëson dopietën, ndërsa Alsed Abdija ngushëllon shkodranët e Basanias me golin e nderit në të 82-ën.
ALBANËT–SPARTAKU 3-1
Skuadra që drejtohet nga Endrit Kaca siguron të dytën fitore në kampionat dhe surprizon Grupin B, ku bëjnë pjesë ekipe me emër si Gramozi dhe Këlcyra. Në 6 pikë të koleksionuara ata marrin komandën.
Ndeshja kundër Spartakut ka qenë mjaft e bukur. Nuk kanë kaluar 5 minuta dhe kanë zhbllokuar shifrat me anë të Akelion Murrjës. Por skuadra e Artan Vangjelit kundërpërgjigjet menjëherë me golin e bukur të Lavdërim Çelës.
Me rezultatin 1-1 shkojnë skuadrat në pushim.
Për atë që u prodhua, ishte më i përshtatshmi. E megjithatë, Albanët u kthyer më të karikuar nga dhomat e zhveshjes.
Bënë diferencën në çdo drejtim dhe gjetën dy herë rrjetën, duke mos e diskutuar suksesin, ishte Alberto Haxhiaj që shënoi në të 57-ën për 2-1 dhe Kristjan Meshaj “fiksoi” 9 minuta para fundit në 3-1.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
