KATEGORIA E TRETË/ AF Elbasani nuk përmbahet, por prish rekordin (REZULTATET DHE RENDITJA)
Me dy ndeshjet e luajtura dje pasdite në Kamzë, është mbyllur dhe java e 6-të e Kategorisë së Tretë.
Elbasani që drejtohet nga Gentjan Stojku mbetet i pamposhtur, teksa dje kaloi edhe Skraparin me shifrat 6-1.
Në formë të mirë është edhe Delvina, që likuidoi 2- 0 Spartakun dhe mori e vetme vendin e dytë. Verdheblutë vazhdojnë serinë e fitoreve, por prishën një rekord: pësuan të parin gol pas 522 minutash.
Gjithsesi, ata dje dhuruan spektakël. Në 23 minuta shënuan 5 gola, 3 prej të cilëve me autor Denis Micin. Pati edhe dopietë ama, me protagonist Mirel Çotën.
Listës së shënuesve i shtohet dhe mbrojtësi Ukaj në minutën e 23-të.
Por kur po dukej se Elbasani do ta mbyllte me shifrën zero të golave të pësuar, në të 72’ e pësojnë. Qendërmbrojtësi Tanushi ndal me faull kapitenin Jaho në zonë dhe kryesori Noris Kozmaj akordon penallti.
Vetë kapiteni i skraparllinjve ekzekuton dhe çon shifrat në 1-6. Në ndeshjen e dytë, pati ritëm dhe raste. Pjesa e parë u mbyll “thatë”, ndërsa e dyta me gola dhe pikët për delvinjotët.
Ishte Theodhori që dha avantazhin, ndërsa Mehmeti e “vulosi” me një gjuajtje diagonale.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
