KATEGORIA E TRETË/ AF Elbasani i frikshëm, ndalet Delvina (REZULTATET DHE RENDITJA)
Me dy ndeshjet e zhvilluara dje në dy qytete, u mbyll java e 11-të e Kategorisë së Tretë.
Delvina dhe Skrapari nuk pati fitues në Kamzë, por as gola.
Skuadra e Albert Spahiut prodhoi lojë, por ka qenë e pafat. Janë shpërdoruar 4-5 raste, sidomos ato të Skënderit në minutat 81, 84 dhe të 90-të.
Delvinjotët ishin larg pritshmërive dhe mundësinë më të mirë e patën në të 54-ën me Demkon që tronditi shtyllën.
Në “Shefqet Lamçja” të Elbasanit, nuk pati surpriza: skuadra e Gentjan Stojkut triumfoi, dhe frikshëm madje.
AF Elbasani shënoi plot 11 herë në portën e Osumit, që u bë “poligon qitjeje” me gjashtë të marrë në pjesën e parë dhe 5 në të dytën.
Denis Mici bëri “poker”, duke u konfirmuar një nga golashënuesit më të mirë të kësaj kategorie. Mirel Çota realizoi, ndërsa golat e tjerë u shpërndanë mes 5 lojtarëve.
Bajrami, Ferhati, Selimaj, Çeka e Gava kanë plotësuar këtë fitore, e cila është e 11-ta radhazi.
Verdheblutë jo vetëm që blindojnë kreun, por përmirësojnë dukshëm mesataren e golave. Me 72 në total, kapin një mesatare prej afro 7 gola për ndeshje.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"