KATEGORIA E TRETË/ AF Elbasani debuton me “manita”, Stojku: Do të ngjitemi direkt!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2021 | 13:00

KATEGORIA E TRETË/ AF Elbasani debuton me “manita”, Stojku: Do të ngjitemi direkt!

Merr zyrtarisht jetë rrugëtimi i akademisë së futbollit Elbasani. Skuadra më e re e qytetit ka debutuar dje në Kategorinë e Tretë. Të besuarit e Gentjan Stojkut kanë treguar direkt supermaci, duke fituar me “manita” përballë Spartakut. Ekipi nuk ishte vetëm në Kamzë, pasi u mbështet masivisht prej tifozëve.

AF ELBASANI

“Tigrat Verdheblu” rikthehen në stadiume dhe veç banderolës që kishin shpalosur, nuk kursyen tymueset me ngjyrat e ekipit. Edhe pse shiu i rrëmbyeshëm shoqëroi ndeshjen e parë të ditës, ata nuk u larguan. Elbasani vinte në këtë takim me emra të mëdhenj në formacion dhe lojtarë që dikur kanë lënë shenjë edhe në elitë, si Mirel Çota, Renato Hyshmeri apo kapiteni Orgest Gava.

SPARTAKU-AF ELBASANI

Takimi ka filluar me shumë ritëm dhe thuaje me gol. Në minutën e 8-të ishte Denis Mici që hap serinë e golave, ndërsa kapiteni Orgest Gava dyfishon pas 22 minutash. Pjesa e parë do të mbyllej me një gol të tretë, ku autor ishte “bomberi” Mirel Çota. Në fraksionin e dytë, skuadra e Elbasanit shënon dhe dy gola të tjerë, ku Çota e Mici plotësojnë dopietat personale. Spartaku kishte shumë mungesa, pasi shumicën e lojtarëve i ka në marrëdhënie pune dhe të enjten nuk lëvizin dot. Pas ndeshjes, trajneri Gentjan Stojku shprehet: “Kjo fitore nuk vjen rastësisht sepse skuadra jonë ka synime dhe ka nisur përgatitjet me kohë. Synimi ynë është Kategoria e Dytë dhe rikthimin e futbollit në qytetin e Elbasanit”.

1

DELVINA–EAGLES

Kjo ndeshje dukej se do të ishte e thjeshtë për Delvinën që vjen nga Kategoria e Dytë, por Eagles ia bëri “malore”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Bledi Gockaj, tregoi se kishte më shumë kualitete dhe e meritoi plotësisht fitoren. Madje, pati edhe disa kontestime ndaj gjykimit dhe në fundin e takimit edhe nervozizëm. Goli i “Shqiponjave” të kryeqytetit shënohet që në minutën e 23-të nga Klejdi Mahmutaj. Në fraksionin e dytë, delvinjotët shpërdoruan shansin për të barazuar me penallti. Keli Musta në minutën e 63-të goditi, por portieri Albi Lika priti me mjeshtëri. Ndërsa Kosova në të 72-ën godet dy shtyllat pingule të portës e miqve.

2

3

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"