KATEGORIA E TRETË/ 16 gola në dy ndeshje! AF Elbasani luan “tenis”, fiton edhe Delvina (REZULTATET DHE RENDITJA)
Është mbyllur java e parafundit e Kategorisë së Tretë, me dy fitore tenistike.
Elbasani e ka prerë tashmë një biletë për ngjitjen, por vazhdon të mos kursehet me gola.
Ka mundur 8-1 Skraparin dhe blinduar kreun, ndërsa Delvina mundi 0-7 Spartakun dhe vazhdon të shpresë për të dytën biletë, bashkë me Valbonën.
Verdheblutë e nisën me vrull lojën dhe pa u mbyllur e para minutë, zhbllokuan shifrat me Micin, ndërsa i njëjti protagonist dyfishoi në të 14-ën.
Për të vulosur “manitën” në pjesën e parë menduan Xhelili në të 25- ën dhe Ferhati me Jahon në të 34-ën dhe 36-ën.
Në fraksionin e dytë do të jenë Bajrami, Gava dhe sërish Ferhati që shënojnë dhe çojnë rezultatin në 8-0. Kur po mendohej fundi i takimit, i riu 17-vjeçar Luiz Lamçe shënon gol në portën e Bozhiqit, duke mbyllur takimin 8-1.
Në ndeshjen e dytë Spartaku nuk formonte dot 11-shen, pasi shumica e lojtarëve të tij janë në punë. U bënë gati për ta nisur me dy lojtarë mangët (9), por vetëm dy minutat e para se më pas u plotësua formacioni.
Delvina e pati të lehtë dhe vetëm 45 minutat e para e dërgoi 5 herë topin në rrjetë. Rocha dhe Gjeçi bën dopieta, por shënoi edhe Musta. Pas pushimit delvinjotët u dhanë hapësirë të rinjve, por gola pati sërish.
Musta realizoi të dytin personal, ndërsa braziliani Junior Perreira i vuri “vulën”.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
