Kategoria e Parë/ Analiza e javës së 22-të. Faza e dytë mbyllet me një trajner të larguar, të gjitha verdiktet në lojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 20:38

Kategoria e Parë/ Analiza e javës së 22-të. Faza e dytë mbyllet me një trajner të larguar, të gjitha verdiktet në lojë

Kategoria e Parë ka mbyllur fazën e dytë të edicionin 2023-2024. Përfundimet e javës së 22-të kanë qenë të rëndësishme, pasi nga renditja përfundimtare e dy fazave të para përcaktohej edhe kalendari i fazës së tretë. Në përfundim të kësaj jave nuk munguan edhe lëvizjet e skuadrave në tabelën e klasifikimit.

BYLIS ELBASANI

Kastrioti dhe Luzi 2008 ishin skuadrat që pësuan ngjitje në renditje, ndërsa Tomori i është kthyer sërish fundit të tabelës. Kur ka mbetur edhe një fazë për t’u luajtur asnjë verdikt nuk quhet i arritur matematikisht, kështu që “lufta” për arritjen e objektivave, titull, Superiore, “play-off”, “play-out”, si dhe rënie direkte nga kategoria mbetet totalisht e hapur. Bylisi dhe Elbasani janë kandidatët kryesor për ngjitjen direkte në superiore dhe për të fituar titullin kampion.

Edhe prova e dytë mes këtyre dy skuadrave që u zhvillua në stadiumin “Adush Muçaj” u mbyll në barazim, kësaj radhe 0-0. Bylisi ruan kreun  me 52 pikë, ndërsa Elbasani mbetet i dyti me dy pikë më pak. Vora dhe Flamurtari vijojnë ndjekjen hap pas hapi të dyshes kryesuese, duke fituar ndeshjet e tyre respektive. Falë frenimit të Bylisit dhe Elbasanit, Vora dhe Flamurtari kanë arritur që ta shkurtojnë disi distancën me kreun, duke mbajtur gjallë shpresat për ngjitjen direkte në elitë. Vora mposhti Apoloninë me golin e Raboshtës dhe mbetet i treti me 42 pikë, ndërsa fierakët janë të pestët, por viti 2024 ka nisur keq për skuadrën e Mërgjyshit.

Flamurtari që pas ardhjes së trajnerit Eqerem Memushi njeh vetëm rezultatet pozitive, ku në fundjavë fituan në shifrat 4-1 në Berat. Kjo humbje i kushtoi shumë Tomorit, që në përfundim të fazës së dytë e shikon sërish veten në vend të fundit duke e bërë gjithnjë e më të vështirë misionin mbijetesë. Beteja për vendin e gjashtë mes Korabit dhe Lushnjës shkoi në favor të dibranëve që fituan në shtëpi me rezultatin 1-0. Lushnjarët hodhën akuza për gjykimin në përfundim të ndeshjes, ku sipas tyre arbitri duhet ta kishte ndaluar aksionin e golit që erdhi nga një ndërhyrje “horror” ndaj mesfushorit Xherrison.

Befasia e javës është largimi i trajnerit të Besës, Lorenc Pashja, disa orë para tranfertës me Kastriotin. Pashja shkurtimisht pohoi se ra dakord me presidentin që të mos vazhdonte më, me pretekstin se humbja me Bylisin e kishte mërzitur. Largim i mistershëm, por drejtimi i Besës erdhi nga brenda, ku trajneri kosovar Fidaim Haxhiu është graduar trajner i kavajasve deri në fund të sezonit. Luzi 2008 mori një fitore heroike në Lushnjë ndaj Burrelit.

Ndonëse me 10 vetë që nga pjesa e parë, Luzi fitoi në shifrat 2-0 dhe la vendin e fundit. Ndërsa matjanët zhgënjyen në çdo aspekt, ku humbën edhe një penallti në pjesën e parë. Skuadrat e fundit të renditjes janë më të rrezikuarat, pasi kalendari i vë përballë fillimisht me skuadrat që pretendojnë sigurimin e një bilete për Superioren në sezonin e ardhshëm.

formac

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"