KATEGORIA E DYTË/ Goleadë dhe kryesim, Pogradeci nuk fal në shtëpi ndaj Delvinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2022 | 11:01

KATEGORIA E DYTË/ Goleadë dhe kryesim, Pogradeci nuk fal në shtëpi ndaj Delvinës

Pogradeci e ka kaluar lehtësisht ndeshjen e djeshme ndaj Delvinës në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, duke fituar me shifrat e thella, 5-1.

POGRADECI DELVINA

Çast para sfidës Pogradeci-Delvina

Ka qenë një takim i dominuar totalisht që nga minuta e parë dhe deri në fund nga liqenorët.

Skuadra e Samuel Nikajt e nisi me gol që në minutën e tretë, ku pas një goditjeje këndi, Topllari devijon topin në zonë dhe Shyti i lirë në shtyllën e dytë nuk e ka të vështirë për të realizuar.

Miqtë nga Delvina rezistojnë shumë pak dhe duken totalisht të dorëzuar, pasi në minutën e 17-të është Topllari që shënon për liqenorët pas goditjes me të majtën në brendësi të zonës, teksa këtë herë u asistua nga Shyti.

Një tentativë e miqve me Jurin përfundon në duart e portierit Baçi. I njëjti autor shënon në minutën e 34-t, por goli anulohet pasi lojtari i Delvinës e kishte prekur fillimisht topin me dorë, ndërsa u ndëshkua edhe me karton të verdhë për protestë.

Në fundin e pjesës së parë vjen edhe goli i tretë, kur Jahaj harkon në zonë dhe braziliani Henrike godet me kokë, duke trefishuar shifrat.

Pas pushimit janë delvinjotët që zgjohen, teksa në minutën e 49-të, Mehmeti del i vetëm përballë portierit pas një asisti të Mustës dhe e dërgon topin në rrjetë.

Por vetëm pas 3 minutash nga ky gol, Pogradeci përgjigjet me shtatlartin Blacëri, që kërcen mbi të gjithë në zonë dhe me kokë i çon shifrat në 4-1. Nuk mbaron me kaq, pasi në minutën e 90-të, Henrike shpërthen nga e majta dhe godet në formë parabole, por aty ndërhyn Elmazaj, që me kokë vulos fitoren 5-1.

DEKLARATA – Trajneri i Pogradecit, Samuel Nikaj, pavarësisht triumfit të thellë të skuadrës së tij, nuk ka ngurruar të kritikojë futbollistët.

“Vërtet fituam thellë, duhet të shikojmë vazhdimësinë, sepse nuk më pëlqyen shumë gjëra. Futbolli luhet ashtu si e kërkon trajneri, jo kështu. Më vjen keq, sepse i lamë disa hapësira ekipit të Delvinës, që luajti me grintë, por ne nuk bëmë ashtu si duhet pjesën e tranzicionit negativ.

Nuk më vjen mirë, pasi kemi punuar me këtë pjesë. Shpërdoruam shumë raste, edhe pse jo çdo aksion përfundon me gol, por kemi lojtarë me klas, që mund të luajnë në Kategorinë e Parë.

Prandaj them që duhet të luajmë më shumë si skuadër dhe të dalim në atë lojë që unë kërkoj”, deklaroi Nikaj për “Panorama Sport”.

PO (1)

kat 2 b (1)

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"