Kastrioti shpërdoron shumë, në fund thyen Burrelin. Ndreu: Mund të fitonim më thellë. Hima: Krutanët, të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 20:43

Kastrioti shpërdoron shumë, në fund thyen Burrelin. Ndreu: Mund të fitonim më thellë. Hima: Krutanët, të fortë

Kastrioti mund 3-1 Burrelin në një ndeshje të luftuar. Krutanët kanë krijuar raste pa fund, por vetëm pas minutës së 70-të ata e kanë zhbllokuar ndeshjen me Kapllanin. Loja nis me Kastriotin në sulm.

KASTRIOTI FESTON NDAJ BURRELIT

Çela depërton bukur, pason në zonë te Kapllani, por ky i fundit bën më të vështirën, e dërgon topin jashtë. Krutanët sulmojnë edhe me Kukën që del zbuluar, por nuk e shfrytëzon rastin. Burreli luan i tërhequr dhe krutanët krijojnë raste të shumta. Çela pason bukur te Hoxha, i cili i vetëm përballë portierit nuk arrin të shënojë. Hoxha rrezikon dy herë, ndërsa rastin më flagrant e ka Kapllani, i vetëm me portierin Çili, por nuk shënon.

Pjesa e dytë fillon me ndërrime për Burrelin. Henrike depërton bukur në zonë, por largon rrezikun mbrojtja vendase. Sërish Henrike godet fuqishëm dhe topi kalon ngjitur me traversën. Në minutën e 71—të vjen goli, teksa Neziri nga e djathta pason te Musaj, që nxjerr zbuluar Kapllanin dhe sulmuesi shënon. Në minutën e 82-të Mehmeti realizon golin e dytë nga rreth 20 metra. Miqtë shkurtojnë diferencën me Henrike, por ka kohë edhe për një gol tjetër të Kapllanit dhe 3-1.

Ndreu: Mund të fitonim më thellë

Pas fitores me Burrelin, trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, theksoi se skuadra mund të fitonte më thellë, nëse do kishte gjithë titullarët. “Ekipi u shpreh mirë në fushë. Po t’i kishim të gjithë titullarët të gatshëm, do të kishim marrë një rezultat më të thellë. Takimin e radhës do ta luajmë me Lushnjën, që e konsiderojmë si një finale dhe do të jemi tërësisht të fokusuar aty”.

 Hima: Krutanët, të fortë

Klevis Hima, trajneri i Burrelit, ka pranuar pas ndeshjes se kundërshtari ishte më i fortë: “Mund të them se zhvilluam një ndeshje të mirë në përgjithësi, por Kastrioti u tregua më i fortë dhe fitoi. Ne ndjemë edhe mungesën e disa futbollistëve të dëmtuar. Sfida ishte mjaft e fortë. Shpresojmë t’ia dalim në takimet e mbetura, duke i marrë një nga një”.

Shkëlqim Hasani- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"