Kastrioti fiton dhe lë Bylisin pa fjalë, trajneri Ndreu: Ndeshje e luftuar, ja çfarë u kërkova lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 16:36

Kastrioti fiton dhe lë Bylisin pa fjalë, trajneri Ndreu: Ndeshje e luftuar, ja çfarë u kërkova lojtarëve

Kastrioti është fituesi i ndeshjes së parambetur me Bylisin, takim i vlefshëm për javën e 17-të, që u shty për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Kjo sfidë ka qenë mjaft e luftuar nga të dy ekipet, por që u fitua nga vendasit në shifrat 2-1. Pjesa e parë ka folur për ballshiotët që kanë qenë fare pranë golit me Kibe, por nuk ia ka dalë.

kastrioti

Në fund të këtij fraksioni, Lajthia ka tronditur traversën e portës së mbrojtur nga Malaj. Në pjesën e dytë, Kastrioti ka bërë një tjetër paraqitje. Krutanët kanë këmbëngulur të gjejnë rrjetën kundërshtare dhe ka qenë Dejvid Kapllani, përforcimi i janarit, që me dy golat e tij ka ngjitur Kastriotin në kuotën e 20 pikëve në vendin e nëntë.

Ndeshja- Loja ka filluar e qetë dhe është përqendruar më së shumti në mesfushë ku nuk kanë munguar dyluftimet. Të parët kanë rrezikuar miqtë në të 15-ën me Kibe. Më pas u kundërpërgjigjën vendasit me Çelën. Në të 38-ën Kapllani ka një mundësi, por topi nuk i bindet. Miqtë nga Ballshi në minutën e 41-të janë farë pranë golit, por traversa bëhet pengese.

Lajthia, ndër më aktivët për miqtë, nuk ia ka dalë kur ka goditur bukur me kokë. Pjesa e dytë nis me katër ndërrime te Bylisi. Trumçi, Kamara, Kasaj dhe Goxha i lanë vendin Eminit, Berishës, Levendit dhe Qarrit. Ndërsa Ndreu i Kastriotit ka kryer dy zëvendësime të detyruara për shkak të dëmtimit të Doseh dhe Zhivanaj që në pjesën e parë dhe në vend të tyre u aktivizuan  Kuka dhe Hodo. Krutanët arrijnë të zhbllokojnë shifrat në minutën e 50-të. Arapi depërton në krahun e djathë të sulmit, kroson në zonë. Topi devijohet në korne dhe prej andej vjen dhe goli i parë për vendasit.

Topin e ardhur prej andej e godet bukur me kokë Kapllani dhe 1-0. Krutanët nuk heqin dorë nga loja sulmuese, por do të jenë miqtë me Eminin që në minutat e 70-të dhe 71’ rrezikojnë, por portieri Malaj devijon topin në korne. Miqtë në minutën e 75-të janë pranë barazimit. Dy minuta më pas, Arapi futet në zonë, shërben topin te Kapllani, i cili me kokë e dërgon në rrjetë, 2-0 për Kastriotin. Një minutë më pas vjen edhe goli i nderit për Bylisin, i shënuar nga Levendi dhe 2-1. Minutat e mbetura nuk e ndryshojnë rezultatin dhe takimi u mbyll me fitoren 2-1 të krutanëve.

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit

Ramadan Ndreu, trajner i Kastrioti

Kastrioti më në fund shikon dritë në fund të tunelit. Suksesi ndaj Bylisit është domethënës dhe me shumë vlera, pasi trepikëshi u arrit ndaj skuadrës që ka udhëhequr gjatë gjithë kohës Kategorinë e Parë. Afrimet e kryera në merkaton e dimrit i kanë dhënë një fytyrë tjetër Kastriotit, duke rritur shpresat që skuadra e trajnerit Ramadan Ndreu nuk do ta diskutojë mbijetesën në të Parën.

Pas ndeshjes, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” trajneri Ndreu pranoi se ishte një ndeshje mjaft e luftuar dhe tregoi se çfarë u kishte thënë lojtarëve për të siguruar suksesin ndaj ballshiotëve. “Ishte një ndeshje mjaft e luftuar. Ua kisha bërë të qartë lojtarëve se pavarësisht nivelit të Bylisit, duhet të hyni në fushë me besim e të jepni maksimumin. U kërkova që të luanin fort, pasi kështu do të vinte edhe fitorja. U rrezikuam në disa momente, por ia dolëm në fund. Jam i kënaqur nga loja e të mive. Uroj që të vazhdojmë me këtë ritëm”, u shpreh trajneri Ramadan Ndreu pas fitores me Bylisin.

 

Trajneri Bellai zgjedh heshtjen

 Pas humbjes së djeshme në stadiumin ”Redi Maloku” të Fushë- Krujës ballshiotët janë larguar në heshtje. Këtë rrugë zgjodhi edhe trajneri i Bylisit Arian, Bellai, që nuk u prononcua për mediat. Preteksti ishte se ai po nxitonte pasi do të udhëtonte drejt Greqisë, për tu kthyer shpejt më pas dhe për të nisur punën me ekipin për ndeshjen e së hënës me Elbasanin. Me këtë humbje Bylisi u largua nga Fushë – Kruja pa pikë dhe pa fjalë.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"