Kastrioti firmos me sulmuesin lushnjar, zyrtarizohet edhe një mbrojtës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2019 | 8:31

Kastrioti firmos me sulmuesin lushnjar, zyrtarizohet edhe një mbrojtës

Brunild Pepa është zyrtarisht lojtar i Kastriotit. Sulmuesi lushnjar, ashtu siç ka paralajmëruar “Panorama Sport”, ka firmosur ditën e djeshme dhe menjëherë i është bashkuar pjesës tjetër të skuadrës në stërvitjen e pasdites.

Pepa

Pepa është një sulmues me eksperiencë në kampionatin shqiptar, pasi ka luajtur me mjaft skuadra në Superiore dhe jo vetëm, duke filluar nga Lushnja, Teuta, Flamurtari dhe Vllaznia.

Në pjesën e parë të sezonit 2018-2019 sulmuesi ishte te Gjilani në Superligën e Kosovës. Me afrimin e lushnjarit, klubi krutan shton konkurrencën në repartin ofensiv, teksa krahas Jurgen Vatnikajt dhe Taulant Markut, tashmë do të ketë një forcë më tepër.

ARMAND RAMI – Gazeta mëson se dje është zyrtarizuar edhe mbrojtësi i majtë, Armand Rami, i cili ka firmosur për Kastriotin pas disa javësh stërvitjeje me ekipin krutan.

Rami

Rami në pjesën e parë të kampionatit ishte te Kamza. Që prej dhjetorit ai është stërvitur me skuadrën krutane dhe dje ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare.

STËRVITJA – Sakaq, nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli, Kastrioti ka vijuar edhe të dielën përgatitjet për ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2019, që është ajo e Kupës ndaj Partizanit. Krutanët nuk kanë objektiva në këtë kompeticion, pasi e gjithë vëmendja është e fokusuar te përballja ndaj Luftëtarit në kampionat, e cila do të zhvillohet të dielën.

Kastrioti Devolli

Interesant është fakti se Devolli do të debutojë si trajner i Kastriotit në kampionat pikërisht kundër skuadrës së vendlindjes. Kjo është hera e parë që gjirokastriti shkon në qytetin e tij si një trajner kundërshtar. Këtë sezon Devolli e nisi te Kamza, ku u largua pas tri javësh, ndërsa më pas drejtoi Tomorin e Beratit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"