Kapiteni Perja: Si kavajas, e di çfarë do të thotë suksesi dhe turpi për Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 19:50

Kapiteni Perja: Si kavajas, e di çfarë do të thotë suksesi dhe turpi për Besën

Besa vjen në takimin e radhës me Burrelin në transfertë pas dy fitoresh, me një golaverazh domethënës, 8-2. Kapiteni Skerdjan Perja ka besim se nëse ekipi luan në Burrel si në dy ndeshjet e fundit, suksesi do të jetë i padiskutueshëm.

perja duke festuar golin te Besa

“Nëse për lojtarët e tjerë, dy fitore janë sukses i Besës, për mua nuk është gjë tjetër, veçse një reagim minimal pas gjithë atyre gabimeve që kemi bërë. Si kavajas e kam provuar në kurriz se çfarë do të thotë sukses i Besës e çfarë do të thotë turp. Si i vetmi kavajas në formacionin e Besës, e quaj thjesht një reagim i domosdoshëm dhe krijimin e një tjetër klime në ekip. Këtu ka një ndikim të fortë trajneri Dorjan Bubeqi, që ka ndryshuar mentalitetin, mënyrën e lojës, por ka rikthyer përgjegjësinë dhe sakrificën e secilit në fushë.

Në të gjitha rastet kur kemi luajtur në Burrel, ekipi vinte nga disa humbje radhazi. Kësaj here ndryshon puna dhe do udhëtojmë drejt Burrelit më besimplotë se kurrë në shanset tona. Pa dashur të nënvlerësoj askënd, Besa aktualisht ka muskujt që i duhen, ka teknikën e shpejtësinë, si dhe përvojën e duhur në prapavijë. Janë këta elementë, shto edhe faktorin psikologjik në anën tonë, të cilat i duhen një grupi që synon fitoren.

Një tjetër element në favorin tonë është dhe njohja ‘dhëmbë e dhëmballë’ që Bubeqi ka për Burrelin, pasi ai e ka drejtuar atë ekip. Thënë ndryshe, ai di ku i ‘pikon çatia’ matjanëve. Kam besim të madh se nga Burreli nuk kthehemi me humbje”, u shpreh Skerdjan Perja për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"