Kapiteni Perja “shkund” kavajasit: Besa ka aq “gjak” sa për të fituar me Luzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 16:52

Kapiteni Perja “shkund” kavajasit: Besa ka aq “gjak” sa për të fituar me Luzin

Besa po kalon momentin e saj më të vështirë në historinë 93-vjeçare si klub, pasi rrezikon zbritjen në Kategorinë e Dytë. Tetë ndeshjet e mbetura janë finale mbijetese për kavajasit dhe misioni nis nga derbi me fqinjët e Luzit.

perja duke festuar golin te Besa

Besës i duhet me çdo kusht fitorja me luznjakët, si zgjidhja e vetme për të mos rrezikuar rënien direkt në Kategorinë e Dytë. Qoftë edhe një barazim do të ishte katastrofë për Besën, pasi do ta linte përsëri në vendin e parafundit. Këtë e ka të qartë i gjithë ekipi dhe kapiteni Skerdjan Perja e thotë troç, se do të ishte turp nëse Besa nuk arrin dot të fitojë e të rrezikojë rënien direkte. “Kurrë s’kemi qenë në këto situata dhe jemi para faktit të kryer. Rinovimi i ekipit në janar nuk solli shpejt ato ndryshime që prisnim. Kemi pësuar radhazi jo pak, por plot 4 humbje.

Vërtet kemi luajtur me kryesueset, por Luzi e mundi Bylisin. Me këtë dua të them se nuk do ta kemi aspak të lehtë përballë fqinjëve tanë. Ata kanë djem të rinj, të talentuar që falë dëshirës arrijnë të sakrifikojnë në fushë. Padyshim që përtej situatës, Besa është e dënuar të fitojë në këtë takim të radhës”, u shpreh fillimisht Perja për “Panorama Sport”. Kapiteni i verdhezinjëve e bën të qartë se vërtet Luzi po kalon një gjendje të mirë, por Besa pas 4 humbjesh nuk mund të pësojë edhe goditjen fatale nga Luzi. “Do të ishte si një goditje finale në ndeshje boksi nëse nuk do të fitonim me Luzin.

Nuk i heq asnjë presje vlerësimit për Luzin, por duhet të tregojmë se na ka mbetur aq gjak sa të sakrifikojmë për ta fituar ndeshjen. Avantazhi ynë i dytë është përvoja. Mendoj se në çdo duel këto dy vite me Luzin ka qenë pikërisht përvoja në administrimin e ndeshjes, që na ka çuar te fitorja. Do të vijojmë të punojmë fort në ditët që na kanë mbetur për të qenë plotësisht të gatshëm. Uroj e shpresoj që lojtarët e dëmtuar të na kthehen për këtë takim”, përfundoi kapiteni Perja.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"